
Nga e hëna nis riatdhesimi i shqiptarëve nga Europa. Udhëtimi falas!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama, njoftoi sot në komunikimin e tij rutinë në mesditë, se të gjithë shqiptarët që kanë mbetur për shkak të mbylljes së kufijve jashtë vendit, do të riatdhesohen duke nisur nga e hëna. Ditën e nesërme do të publikohet kalendari më i detajuar.
“Do të nisim të hënën fluturimet për t'i sjellë në atdhe, nesër do të publikojmë kalendarin e misionit të riatdhesimit dhe pikat përkatëse. Këto misione do t'i kryejmë pa pagesë nga ana e individëve, dhe unë besoj se i takon "Lasgushit" t'i sjellë njerëzit tanë në shtëpi. Air Albania është kompania e flamurit kuqezi, dhe në këtë hall të madh kombëtar i kam kërkuar kompanisë të marrë përsipër barrën e të qenit shtëpia e shqiptarëve në qiejt e Europës, dhe të mos marrë lekë për të kryer këto misione humanitare. Jam i lumtur që gatishmëria ka qenë e menjëhershme. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë po punon për lejet speciale të këtyre charterve", tha kryeministri Rama sot./L.F-dritare.net

















