
Zbuloni teqenë që frymëzon turistët dhe udhëtarët në Përmet
Dritare.net
Teqeja bektashiane e Alipostivanit, një nga monumentet më të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore të Shqipërisë, është treguar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga gazetari britanik Robert Hackman në një dokumentar në Dritare TV ku u theksuan vlerat e rralla të trashëgimisë bektashiane dhe roli i saj në ruajtjen e harmonisë ndërfetare shqiptare.
Robert Hackman udhëtoi drejt zemrës së Përmetit për të zbuluar nga afër historinë, kulturën, besimin dhe mikpritjen që ofron ky vend i shenjtë. Vizita u shoqërua nga Edjan Maliqi, një promovues i turizmit të Përmetit, të cilët treguan për rolin jetësor që ka pasur Baba Hekuran Nikollari në ringritjen dhe shpirtërimin e kësaj teqeje.
Teqeja, e ndërtuar fillimisht në fund të shekullit XVII dhe e rindërtuar pas shkatërrimit gjatë regjimit komunist në vitin 1967, është sot një kompleks i gjallë që përfaqëson harmoninë ndërfetare, respektin për natyrën dhe dashurinë për dijen. Hackman pati mundësi të shohë tyrbet e baballarëve, bibliotekën unike të teqesë, si dhe kuzhinën tradicionale ku përgatitet ashurja, ëmbëlsira simbolike e Novruzit që shërbehet për mijëra besimtarë çdo vit.
“Teqeja e Alipostivanit është një pasuri kombëtare, jo vetëm për besimin bektashi, por për gjithë shqiptarët. Ajo mishëron mesazhin e bashkimit dhe të respektit për tjetrin, për historinë dhe për natyrën,” u shpreh një nga përfaqësuesit gjatë intervistës.
Gjatë vizitës, theksi u vu edhe te mesazhet unike të Baba Hekuranit, i cili shpesh përsëriste:
“Çdo mysliman në teqe është bektashi dhe çdo bektashi në kishë është ortodoks. Na bashkojnë koka dhe krahët e shqiponjës dhe e kuqja e flamurit.”
Ky dokumentar promovues nga gazetari britanik Robert Hackman në Dritare TV synon të sjellë më afër opinionin publik me thesaret shpirtërore që Shqipëria ruan dhe ofron, duke nxitur turizmin kulturor dhe fetar, sidomos në jugun piktoresk të vendit./L.F/dritare.net

















