Nafta arrin kulmin që nga 2022 mes tensioneve SHBA–Iran
Dritare.net

Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm, duke arritur nivelin më të lartë që nga viti 2022, pas raportimeve se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të informohet për opsione të reja ushtarake kundër Iranit.
Sipas mediave amerikane, përfshirë Axios, Komanda Qendrore e SHBA-së ka përgatitur një plan për sulme të shpejta dhe të fuqishme ndaj objektivave iraniane, me qëllim rritjen e presionit në negociata.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, nafta Brent u rrit me rreth 7%, duke kaluar mbi 126 dollarë për fuçi. Edhe nafta amerikane, e njohur si West Texas Intermediate, shënoi rritje, duke arritur rreth 109 dollarë për fuçi.
Një faktor kyç në këtë rritje është ngushtica strategjike e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me energji. Aktualisht, kjo rrugë detare është pothuajse e bllokuar për shkak të tensioneve.
Irani ka kërcënuar sulme ndaj anijeve që kalojnë në këtë zonë, ndërsa SHBA ka paralajmëruar bllokadë të porteve iraniane nëse kërcënimet vazhdojnë. Kjo situatë ka rritur frikën për një përshkallëzim të konfliktit dhe ndërprerje të furnizimeve globale.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe një përshkallëzim i vogël mund të ketë pasoja të mëdha për ekonominë botërore, veçanërisht duke rritur inflacionin dhe kostot e energjisë./L.F-dritare.net