
Ju tregoj urën e Çikagos, si ajo e Lanës që ndërtuam kur ishim studentë!
Dritare.net
Inxhinier Fatjon Shkurti, djali i dy artistëve të Cirkut të Tiranës, iku nga Tirana në 1990-ën dhe me bazat që mori në Universitetin e Tiranës u bë inxhinieri që ndërton urat më të bukura dhe të veçanta në Amerikë. Zoti Shkurti tregon për gazetaren Rudina Xhunga në “Shqip” në DritareTV se shpesh reflekton, hedh një vështrim falënderues nga e kaluara, për Tiranën, për profesorët e universitetit, si bazamentet e së ardhmes së tij fantastike dhe frymëzuese. Zoti Shkurti, tregoi me krenari disa nga urat që sot mbajnë firmën e tij, nga ura e famshme në Wisconsin, te ura që mban emrin e ish-senatorit të Nebraskës, deri te ura që ngjan me Lanën e Tiranës.
"Unë them me krenari se e kam mbaruar shkollën në Tiranë, në 1987-ën. Punova 3-4 vjet si pedagog se isha student i mirë. Më 17 dhjetor te 1990-ës i hipëm avionit për në Greqi dhe pas një muaji erdhëm në Amerikë. Që në vit të parë në fakultet në Tiranë takova dhe zonjën time, kemi 41 vjet bashkë dhe ajo është inxhiniere. Ajo bën ndërtesa industriale të rafinerive, të industrisë së ushqimit, ndërsa vajza punon me mua. Ajo ka lindur ne Tiranë në 1988-ën, por e ka bërë shkollën në Çikago, në universitetin e Illinois dhe punon me mua. Po të më thoshe në ‘87-’88-ën që do jesh kreyinxhinier në Amerikë kurrë nuk do ta besoja.
Përpos urave të tjera, në Çikago kemi ndërtuar një urë që është e ngjashme me urën e Lanës që ndërtuam kur ishim studentë. Kjo është ura që ngjan me Lanën, por vetëm ndryshon nga tunelet që janë anash saj. Nga ana inxhinierike nuk është shumë e vështirë si urë. Arkitekti që projektoi këtë urë luajti me ngjyrat, donte të tregonte ngjyrat e grurit dhe te kolonat janë format e grurit.”, u shpreh zoti Shkurti në DritareTv./K.C/dritare.net

















