
Ju tregoj për inxhinierët shqiptarë, që po habisin amerikanët!
Dritare.net
Fatjon Shkurti, sot konstruktor urash në Amerikë iku nga Tirana në 1990-ën dhe me bazat që mori në Universitetin e Tiranës u bë inxhinieri që ndërton urat më të rëndësishme në Amerikë. Inxhinier Shkurti, djali i dy artistëve të cirkut të Tiranës, tregon për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në Dritare TV kohën kur ishte student në Universitetin e Tiranës, kur u bë pedagog dhe hapin final që e çoi drejt një të ardhmeje fantastike, transferimin në Çikago për t’u bërë inxhinieri që ndërton dhe konstrukton urat më të veçanta në SHBA.
Në intervistën e dhënë për emisionin Shqip në Dritare TV, inxhinier Shkurti, tregon se në kompaninë HNTB, nuk është ai shqiptari i vetëm. Ai tregon se punon me disa vajza dhe djem nga Shqipëria, të cilët i vlerëson për aftësitë e tyre të jashtëzakonshme në fushën e inxhinierisë. Në mënyrë të veçantë, ai tregon për dy prej tyre.
“Jemi shumë krenarë për urat që kemi ndërtuar me amerikanë dhe shqiptarë. Kam 5 shqiptarë në grupin tim. Nuk i zgjedh vetëm se janë shqiptarë, por janë të aftë. Janë Shqiptarë që kanë vizion për të ardhmen, kanë bërë sakrifica për të ardhur deri këtu. Ata e dinë mirë që vetëm me punë mund t’ia dalësh në jetë.
Kanë qenë studentë shumë të mirë në Shqipëri. Njëri prej tyre është zëvendës në kompani, me origjinë nga Durrësi, që ka ardhur në Amerikë sapo mbaroi gjimnazin. Ka qenë pjesë e US Marinë, ka qenë ushtar 7 vjet. Ka shkuar edhe në Iran. Kur i shikon njerëz të tillë që kanë bërë sakrifica të mëdha, me një etikë pune të jashtëzakonshme, unë ndjehem krenar. Kolegët e punës më thonë shpesh herë, duke bërë shaka, do të marrësh ndonjë shqiptar tjetër në grup?!
Pse u them, keni ndonjë ankesë për ta!
Kisha një vajzë tjetër nga Pogradeci. Shumë e zonja. Që në klasën e tetë i kishte bërë të gjitha vetë. Nga Pogradeci u arsimua në Tiranë, më pas në Turqi, më tej aplikoi për në Amerikë. Bëri shkollën, bachelor, pastaj master dhe doktoraturë. Punoi me ne për disa vjet por i doli një opsion tjetër. Shpresoj që do të arrijmë ta bindim sërish të kthehet”, u shpreh Shkurti në Dritare TV./L.F-dritare.net

















