
Inxhinieri i urave në SHBA: Unë, produkt i profesorëve dhe inxhinierëve shqiptarë!
Dritare.net
Gjovalin Gjadri ishte një inxhinier konstruktor i shquar që ka projektuar dhe ndërtuar urat më të njohura në Shqipëri. Inxhinieri Fatjon Shkurti që ka ndërtuar urat më të veçanta në Çikago, thotë për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në DritareTv se inxhinier Gjadri ka aplikuar në Shqipëri në 1930-ën, disa metoda që në Amerikë kanë shkuar në 1960-ën.
“Në Shqipëri ka pasur inxhinierë të mirë, profesor Gjovalin Gjadri, profesor Bardhyl Çeku që na kanë dhënë mësim dhe shumë të tjerë. Asgjë nuk vjen nga hiçi, ka një shkëndijë diku. Profesor Gjadri ka bërë para 100 vjetësh në Shqipëri, atë që bëj unë sot në Çikago. Ky është frymëzim. Ne sot po bëjmë projekte të urave me hark këtu në Çikago, profesor Gjadri e ka bërë zbatimin e këtij projektit në vitet ‘30. Ka aplikuar disa metoda që në Amerikë kanë ardhur në vitet ‘60. Ka bërë oponencë të disa urave që kanë sjellë italianët në Shqipëri, hark në gomsiqe, siç është Ura e Gomsiqes. Pasi i prishën gjermanët ata i projektuan nga fillimi. Më dërgoi Ervini disa dokumente që tregonin se Ministria e Ndërtimit kishte zyrë projektimi dhe bënin oponencën e projekteve italiane dhe projektet e veta. Ka projektuar Urën e Lanës, që nga ana inxhinierike ne na duket e thjeshtë, por nuk ishte në atë kohë. Ura e Lanës është e ngjashme me një urë që kemi ndërtuar ne në Çikago.”, tha inxhinier Shkurti për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTv./K.C/dritare.net

















