
Kallami i bardhë që do bëhet gjarpër i zi, vendoset në mes të teatrit "Skampa"
Dritare.net
Pedagogia dhe studiuesja Teuta Toska ka reaguar në rrjetet sociale pas montimit të një tubi kondicioneri mbi fasadën e Teatrit “Skampa” në Elbasan. Në një postim publik, ajo ka ngritur shqetësimin se një veprim i tillë dëmton rëndë pamjen dhe simbolikën arkitekturore të një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore të qytetit.
Në reagimin e saj, Toska shkruan:
“Fasada e një institucioni publik nuk mund të preket a të ndryshohet për të përmbushur një nevojë. Sepse fasada është një simbol, një figurë artistike dhe paraqet një identitet. U lodhët shumë që e gjetët atë zgjidhjen për ta varur kallamin e kondicionerit aty?!
Unë protestoj!
Duhet hequr sa më parë.
S’mund të cenohet e shëmtohet fasada e të vetmit institucion në qytet që pretendon të krijojë art, estetikë dhe bukuri.
Qoftë edhe me një kallam, qoftë edhe të bardhë (që do bëhet gri e do nxihet nga smogu i qytetit e do duket si gjarpër i ngordhur), qoftë edhe të fiksuar drejt aty!", shkruan pedagogia.
Fotografitë e shpërndara online tregojnë punëtorë duke instaluar tubin e kondicionerit me ndihmën e një vinçi, në mënyrë të dukshme dhe pa asnjë kujdes për ruajtjen e integritetit estetik të godinës. Vendosja e këtij elementi plastik në murin ballor të teatrit ka shkaktuar indinjatë të menjëhershme te qytetarët dhe njerëzit e artit.
Teatri “Skampa” është një ndër institucionet më të njohura të artit skenik në vend, me një histori të pasur dhe një fasadë arkitekturore që identifikon kulturën urbane të Elbasanit./K.C/dritare.net

















