Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Lapaj shpërthen ndaj Endri Shabanit: Dajë e nip kërkojnë mandate, por s’mund të më ndalin dot!

Lapaj shpërthen ndaj Endri Shabanit: Dajë e nip kërkojnë


Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ish-aleatit të tij, Endri Shabani, drejtues i “Nismës Thurje”, me të cilin kishte krijuar një koalicion për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Shkak për këtë përplasje është bërë vendimi i dajës së Shabanit, Zeqir Kordhoni, i cili kërkoi nga KQZ që të marrë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues, një veprim që, sipas Lapajt, përfaqëson një kthesë të papranueshme dhe të padrejtë. Lapaj shprehu zhgënjimin ndaj Shabanit, të cilin e akuzon se ka braktisur parimet e bashkëpunimit dhe është bërë pjesë e asaj që ai e quan “këneta politike” që po punon për ta penguar atë të hyjë në Kuvend. Sipas tij, “Shqipëria Bëhet” po përballet me një padrejtësi të hapur, jo vetëm nga kundërshtarët tradicionalë si Rama e Berisha, por edhe nga aleatët e dikurshëm që ai i ka afruar vetë.

Reagimi i Adriatik Lapajt:

"Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem.

Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament.

Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!

Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë.

Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI!
Populli do gjykojë”, shkruan Lapaj./K.C/dritare.net