
Rama nis spastrimin në inspektorate. Riorganizohen AKU-ja dhe 13 institucione të tjera
Dritare.net
Qeveria ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt reformimit të sistemit të inspektimeve në nivel qendror, duke miratuar riorganizimin e 14 institucioneve inspektuese që veprojnë në fusha të ndryshme. Vendimi synon harmonizimin e veprimtarisë së tyre me ligjin e ri “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe përfshin institucione kyçe si AKU, Agjencia e Barnave, Inspektorati Shëndetësor, ai i Punës, i Mjedisit e të tjerë.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E INSTITUCIONEVE QË RIORGANIZOHEN SIPAS LIGJIT PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Institucionet me funksione inspektimi në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore, në fushën e zbatimit të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të cilat i nënshtrohen procesit të riorganizimit, janë, si më poshtë vijon:
a) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
b) Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
c) Agjencia Kombëtare e Pyjeve;
ç) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
d) Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve;
dh) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
e) Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave;
ë) Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës;
f) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
g) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore;
gj) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
h) Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
i) Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut;
j) Instituti i Shëndetit Publik.
2. Funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit transferohen në inspektoratet e reja qendrore, që do të krijohen sipas fushave të inspektimit, që mbulojnë ministritë përgjegjëse dhe sipas parimeve të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e përcaktuara në pikat 1 dhe 2 për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./K.C/dritare.net

















