
Lapaj mbeti jashtë! Kandidati "Shqipëria Bëhet” ndryshon qëndrim, pranon mandatin e deputetit
Dritare.net
Kandidati për deputet i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Zeqir Kordhoni, ka dorëzuar një letër zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku shpreh vullnetin për të pranuar mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues pas shpërndarjes së mandateve.
Në letrën drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Kordhoni thekson se ka firmosur një deklaratë noteriale më 15 korrik 2025, përmes së cilës tërheq çdo dokument të mëparshëm që mund të jetë depozituar nga koalicioni ose në emrin e tij, dhe shpreh qartë dëshirën për të ushtruar funksionin e deputetit.
“I nderuar Z. Celibashi, unë, i nënshkruari Zeqir Kordhoni, me numër personal G70922024M, i lindur më 22/09/1967 dhe banues në Tiranë, kam kandiduar për Koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës në zgjedhjet parlamentare të datës 11 Maj 2025. Përmes kësaj deklarate të nënshkruar përpara noterit sot, më datë 15/07/2025, dua të ve në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.
Në këtë kuadër, kërkoj që KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të depozituar më parë nga Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ose në emrin tim dhe të marrë në konsideratë vetëm këtë deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim. Me respekt, Zeqir Kordhoni”, shkruan Kordhoni në letrën e tij.
Para zgjedhjeve të 11 majit, kandidatët në listën e mbyllur të këtij koalicioni kishin firmosur deklarata noteriale ku hiqnin dorë nga mandati, për t’i hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur me më shumë vota. Në listën e mbyllur u përfshinë edhe familjarë të anëtarëve të dy partive që përbëjnë koalicionin, Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet.
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” arriti të sigurojë vetëm një mandat në këto zgjedhje. Nëse kandidatët në listën e mbyllur do të respektonin deklaratat paraprake të dorëheqjes, mandati do t’i kalonte kandidatit të listës së hapur, Adriatik Lapaj./K.C/dritare.net

















