
Djali i dy artistëve të cirkut, konstruktor urash në SHBA! Unë ia dola me diplomën e Universitetit të Tiranës!
Dritare.net
Fatjon Shkurti, sot konstruktor urash në Amerikë iku nga Tirana në 1990-ën dhe me bazat që mori në Universitetin e Tiranës u bë inxhinieri që ndërton urat më të bukura dhe të veçanta në Amerikë. Inxhinier Shkurti, djali i dy artistëve të cirkut të Tiranës, tregon për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në DritareTv kohën kur ishte student në Universitetin e Tiranës, kur u bë pedagog dhe hapin final që e çoi drejt një të ardhmeje fantastike, transferimin në Çikago për t’u bërë inxhinieri që ndërton dhe konstrukton urat më të veçanta në SHBA. Shqipëria na mungon çdo ditë, thotë inxhinieri, por shtëpinë e kemi këtu. Pavarësisht se jetën e ka ndërtuar në Amerikë, zoti Shkurti mendon që në të ardhmen të vijë të jetojë edhe në Tiranë, të shtëpia e tij dhe pse jo të japë sërish mësim në universitet.
“Unë jam rritur në cirk. Mamaja ime Pina Shkurti me Telat Agollin kanë themeluar cirkun shqiptar. Ishin dy të parët që themeluan cirkun. Pastaj babai dhe mamaja që kishin emrat Pina dhe Pineo ishin akrobatë te Cirku i Tiranës. Unë kam bërë shkollë nga një muaj në Elbasan, Shkodër, Vlorë, Kavajë. Ku shkonte cirku shkonim edhe ne, unë dhe motra. Gjatë verës shkonin përgjatë plazhit. Kam patur fatin ta shoh gjithë Shqipërinë në atë kohë kur njerëzit mezi dilnin nga Tirana, disa herë me kamion, disa herë me autobus. Mamaja dhe babi ishin i vetmi çift, përveç Skënder dhe Vitore Sallakut që ishin bashkë dhe merrnin fëmijët me vete. Ky ishte kopshti ynë.
Unë them me krenari se e kam mbaruar shkollën në Tiranë, në 1987-ën. Punova 3-4 vjet si pedagog se isha student i mirë. Më 17 dhjetor te 1990-ës i hipëm avionit për në Greqi dhe pas një muaji erdhëm në Amerikë.
Që në vit të parë në fakultet në Tiranë takova dhe zonjën time, kemi 41 vjet bashkë dhe ajo është inxhiniere. Ajo bën ndërtesa industriale të rafinerive, të industrisë së ushqimit, ndërsa vajza punon me mua. Ajo ka lindur ne Tiranë në 1988-ën, por e ka bërë shkollën në Çikago, në universitetin e Illinois dhe punon me mua.
Po të më thoshe në ‘87-’88-ën që do jesh kreyinxhinier në Amerikë kurrë nuk do ta besoja. Amerika ishte një ëndërr për mua dhe vërtet e kemi jetuar. Kur erdhëm në fillim, shkonim në shkolla e punonim në restorante natën, turni i tretë. Kemi pasur edhe mbështetje nga njerëzit tanë. Kur ishim të rinj, bashkë me Ervin Gjadrin rrinim në bulevard, uleshim te bordurat e urës, thurnim ëndrrat e jetës. Mendoja që ndoshta një ditë do bëhesha dekan i fakultetit të Inxhinierisë. Por fatkeqësisht në atë kohë në Shqipëri nuk kishte meritokraci, ishte meritokraci dhe miqësi.
Po nuk qahem se patëm disa mundësi që na dhanë bazat e atyre që kemi bërë këtu. Të ishe pedagog në Tiranë ishte një përgjegjësi e madhe se do të dilje para tabelës së zezë të jepje mësim dhe duhet të dije bazat e materialit. Dhe ato na ndihmuan edhe kur erdhëm në Amerikë, që të dilnim të parët e klasës sërish. E kishim në të lehtë. Unë fillimisht mendoja do merrnim ndonjë bursë për në Francë, por m’u dha mundësia që të vij në SHBA.
Kur erdhëm në fillim në Detroit u regjistruam në shkollë, por edhe punonim. Erdhëm në shkurt të 1991-shit. Deri në 1994-ën mendonim se do ktheheshim në Shqipëri, por kur nisi 1997-ta vendosëm të rrinim në Amerikë dhe ja ku jemi sot. Shqipëria na mungon çdo ditë, por shtëpinë e kemi këtu. Kur vijmë në Shqipëri themi erdhëm në shtëpi, kur kthehemi në Çikago themi sërish erdhëm në shtëpi. “Unë shfrytëzoj çdo moment të lirë për të medituar dhe reflektuar. Pse jam këtu? Si erdha? Kush ishin faktorët që më sollën këtu ku jam? Kështu vlerëson veten dhe gjen mënyra si të orientosh fëmijët sepse asnjë nuk të jep libra këshillash si të rrisësh fëmijën dhe të sillesh me të tjerët.
Shqipëria, cirku, shkolla ku kam luajtur teatër në klasë të 7-të dhe të 8-të, kam luajtur basketboll, volejboll, kam qenë te shkolla “Samk Frashëri”, në një klasë ku shumica e nxënësve sot janë ose ministra, ose doktorë, ose në Gjykatën e Lartë, një klasë shumë e suksesshme.
Shqipëria nuk ka vetëm plazhe. Unë kam parë çdo cep të saj kur isha në cirk, Gramsh, Skrapar. Tani ka shumë turistë siç kam dëgjuar dhe shpresoj që në pak vite, kur të dal në pension, të rikthehem në Shqipëri dhe mbase të jap mësim part-time në universitet.”, u shpreh inxhinier Shkurti për DritareTv./K.C/dritare.net

















