
Rama paralajmëron reformë: Anulim legalizimesh dhe ndjekje penale për punonjësit e Kadastrës
Dritare.net
Qeveria shqiptare pritet të miratojë një reformë të re për kontrollin e territorit, në kuadër të masave për frenimin e zaptimit të hapësirave publike nga ndërtimet pa leje. Nisma vjen pas evidentimit të rasteve të legalizimit të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në prona publike.
Kryeministri Edi Rama, në një reagim në rrjetin social Facebook, publikoi rastin e një shtese lokali të legalizuar në një hapësirë publike, duke e cilësuar këtë një “çmenduri me qëllim fitimi”.
“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike në kurriz të komunitetit, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anuluar ligjërisht, por do të miratohet si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Kadastrës që kanë firmosur për këto legalizime kriminale”, shkruan Rama.
Sipas tij, reformat e reja do të synojnë parandalimin e abuzimeve dhe rikthimin e hapësirave publike në funksion të komunitetit. Ndërkohë, hetimet penale ndaj punonjësve të Kadastrës që kanë firmosur legalizime të tilla do të jenë pjesë e një fushate më të gjerë kundër korrupsionit institucional./K.C/dritare.net

















