Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ura që dua të ndërtoj në Shqipëri! Flet inxhinieri shqiptar në Çikago!

Ura që dua të ndërtoj në Shqipëri! Flet inxhinieri

“Do të doja të bëja një urë në Shqipëri!” Kështu u shpreh Fatjon Shkurti, inxhinieri nga Tirana që ka ndërtuar urat më të famshme në Çikago. Zoti Shkurti tregon për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në DritareTv se vite më parë ka dashur të ndërtojë një urë, pa lekë në Gramsh vetëm me fondet e mbledhura nga ata, por për shkak të politikës nuk mundi ta realizojë. Duhet t’u jepet mundësia arkitektëve dhe inxhinierëve shqiptarë që të ndërtojnë në Shqipëri, jo vetëm të huajve, vazhdoi më tej zoti Shkurti.

“Mendoj që një ditë të kthehemi në Shqipëri. Nga maji në tetor të jetojmë atje. Po m’u dha mundësia do të ndihmoj shokët me projekte dhe të ndërtojmë urë në Shqipëri. Është pak e vështirë sepse në Shqipëri nuk është meritokraci. Ne kemi tendencën që kur bëhet fjala për projektet e mëdha marrim arkitektë danezë, holandezë. Kalova një ditë te Hotel Dajti, para se ta rregullonin dhe lexova atë tabelën që kishin vënë përpara për ndërtuesin dhe projektuesin. Nuk pashë një emër shqiptar. Edhe kur ia japin projektin danezit apo holandezit, nuk marrin një shqiptar, qoftë edhe të mësojë, që projektin tjetër ta bëjë vetë. Kur vjen puna për artin, do sjellim prapë të jashtëm, se janë tenorë më të mirë ata. Shqiptarët duhet të zhvillohen. Shihni kinezët, ku kanë vajtur! Mësuan nga punët që kanë bërë amerikanet atje dhe tani urat e çdo gjë i bëjnë vetë. Edhe neve duhet të mësojmë nga ata. Duhet t’ua japim mundësinë shqiptarëve. Nëse vjen në vend një ndërtues i huaj, fut edhe një arkitekt shqiptar që njeh traditat e vendit ku do ndërtohet që t’i japë sensin arkitektonik që është e traditës së Shqipërisë. Kjo do ndihmonte brezat e ardhshëm. Unë kam shumë dëshirë të bëj projekt në Shqipëri. Një herë desha të sjell studentë, të bënin një urë pa lekë në Gramsh. Në fillim të viteve 2000 u lidhem me rotarianët, ata ishin gati. Por pastaj erdhi puna te politika e koklavitur në Shqipëri dhe nuk u bë si projekt. Kisha projektet gati në 2007-2008-ën, edhe studentët, fondet po ashtu, por nuk u bë. Edhe për një urë paraselë të vogël. Dëgjuam që ura u bë nga politikanët që donin të fitonin zgjedhjet. Nuk kishin më nevojë për urën tonë. Edhe pse ne kishim çdo gjë gati. Gjithë ato përgatitje që bëmë, udhëtimi në Shqipëri, fondet rotariane (The Rotary Foundation), disa inxhinierë vajtën morën dimensionet dhe na dërguan fotografitë, në filluam të projektonim ku do gjenim kabllot e çelikut, ku do gjemë fondet. Nisëm përgatitjet dhe fatkeqësisht m’u desh t’u them që nuk bëhet. “Hajde ikim në Amerikën e Jugut ta bëjmë një urë si kjo”, u thashë në fund. Tani situata është ndryshe në Shqipëri. Megjithatë përfitimet dhe investimet më të mëdha shoh që i kanë nga ndërtesat shumëkatëshe sesa nga urat.”, tha inxhinier Shkurti në DritareTv./K.C/dritare.net