
Vrasja e Renis Dobrës, kapen dy autorët e dyshuar!
Dritare.net

Policia ka vënë në pranga dy nga autorët e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje që tronditi opinionin publik pak ditë më parë. Të ndaluarit janë Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka, të cilët ishin shpallur në kërkim që pas konstatimit të krimit. Së bashku me ta janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë në Dibër, Tiranë dhe Tropojë, mes tyre dy individë që dyshohet se kanë bashkëpunuar në krim dhe tashmë janë shpallur në kërkim.
Kronologjia e ngjarjes
Ngjarja ka nisur mbrëmjen e 8 korrikut 2025, kur familjarët e Renis Dobrës raportuan për zhdukjen e tij. Ai nuk ishte kthyer në shtëpi dhe telefoni i tij rezultonte i fikur. Familjarët, të shqetësuar, nisën kërkimet së bashku me policinë.
Mëngjesin e 9 korrikut, trupi i pajetë i të riut u gjet pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh. Ai ishte hedhur së bashku me automjetin e tij në liqen. Hetimet paraprake dhe ekspertiza mjeko-ligjore zbuluan se Renis Dobra ishte dhunuar fizikisht, më pas ishte mbytur me litar dhe trupi i tij ishte hedhur brenda makinës në ujë për të fshehur gjurmët.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se vrasja ka qenë e mirëorganizuar dhe me motive ende të paqarta, ndërsa bashkëpunëtorët e autorëve të dyshuar ndihmuan në fshehjen e provave dhe zhdukjen e trupit.
Policia po vijon me hetimet për të zbuluar motivin e plotë të vrasjes dhe për të identifikuar rolin e secilit prej të dyshuarve. Ndërkohë, priten edhe arrestime të tjera, pasi pista e bashkëpunimit me persona të tjerë mbetet e hapur./E.P-dritare.net

















