
BE: Mbështetje për Shqipërinë. Synimi, mbyllja e negociatave deri në 2027
Dritare.net
Komisionerja e Zgjerimit të Bashkimit Europian ka rikonfirmuar mbështetjen e fortë të BE-së për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Në një deklaratë publike në profilin e saj zyrtar në Facebook, ajo theksoi se përparimi i shpejtë në negociatat e anëtarësimit është një sinjal i qartë i angazhimit të BE-së ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar këtë proces si një projekt gjithëpërfshirës që kërkon angazhim nga e gjithë shoqëria shqiptare.
Ajo rikujtoi se negociatat nuk janë vetëm një çështje teknike, por një përpjekje kombëtare që duhet të përfshijë institucionet, shoqërinë civile, sektorin privat dhe qytetarët, për të arritur objektivin ambicioz: mbylljen e të gjitha kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Zgjerimi është një projekt gjithëpërfshirës për shoqërinë. Shqipëria është angazhuar seriozisht në këtë proces dhe BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar te meritat,” – theksoi Komisionerja.
Mbështetje nga Parlamenti Europian
Deklaratat e Komisioneres vijnë në vazhdën e miratimit të progres-raportit për Shqipërinë nga Parlamenti Europian javën e kaluar, me 502 vota pro dhe 120 kundër. Raporti vlerëson ecurinë e Shqipërisë në reformat kyçe dhe përmend si pozitive përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor, reformën në drejtësi dhe përmirësimin e klimës demokratike.
Synimi: Një rrugë e qartë drejt BE-së
Shqipëria synon që deri në vitin 2027 të përmbyllë të gjithë kapitujt e negociatave, në një ritëm që do të kërkojë jo vetëm përkushtim institucional, por edhe koordinim të plotë ndërmjet aktorëve politikë dhe shoqërisë. Komisionerja ritheksoi se BE-ja do të qëndrojë në krah të Shqipërisë gjatë gjithë këtij procesi, duke mbështetur reformat dhe përcaktuar një rrugë të qartë drejt anëtarësimit.
Ky është një mesazh inkurajues për qytetarët shqiptarë dhe një sinjal pozitiv për vijimësinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian./L.F/dritare.net

















