Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Restaurohet filmi i parë shqiptar ‘Fëmijët e saj’! Rama: Punë e çmuar!

Restaurohet filmi i parë shqiptar ‘Fëmijët e saj’!

Filmi “Fëmijët e saj”, prodhimi i parë tërësisht shqiptar i realizuar në vitin 1957, është restauruar dhe pritet të rikthehet së shpejti për publikun në një premierë të veçantë në Kinema Drita, pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.


Me regji dhe skenar të Hysen Hakanit, filmi konsiderohet një nga veprat themeluese të kinematografisë shqiptare. Në të interpretojnë disa prej emrave më të njohur të artit shqiptar, si Marie Logoreci, Marika Kallamata, Naim Frashëri, Xhemal Berisha, Loro Kovaçi, Vangjeli Pikuli, Esma Agolli, Pjetër Gjoka dhe Bejtulla Kurtheshi. Muzika është kompozuar nga Tish Daija, ndërsa drejtimin e fotografisë e ka realizuar Sokrat Musha.


Restaurimi i filmit është kryer në studiot e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nga specialistët audiovizualë Erand Meça dhe Hajrie Dedei, duke shënuar restaurimin e parë të një filmi në Shqipëri të realizuar tërësisht nga vetë institucioni.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama publikoi disa fragmente nga versioni i restauruar i filmit dhe vlerësoi punën e bërë për ruajtjen e trashëgimisë kinematografike shqiptare.


“Një punë e çmuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kinematografike, që i jep jetë kujtesës dhe u mundëson brezave të rinj të njohin nga afër historinë, artin dhe vlerat e kinemasë shqiptare”, shkroi Rama.
“Fëmijët e saj” rrëfen historinë e një gruaje shqiptare dhe sakrificat e saj për rritjen dhe edukimin e fëmijëve, duke pasqyruar realitetin social të kohës.