
Rama: Legalizime jashtë ligjit nuk do të ketë më, çdo ndërtim abuziv do të shembet
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të prerë lidhur me ndërtimet pa leje dhe procesin e legalizimeve, duke theksuar se Shqipëria nuk ka më asnjë minutë për të humbur në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ai paralajmëroi se çdo ndërtim që cenon hapësirën publike, projektet e infrastrukturës apo zonat e mbrojtura, do të shembet pa tolerancë.
“Kemi marrë përsipër të hyjmë në BE. Kemi marrë përsipër të përmbyllim legalizimet brenda vitit 2028, përfshirë digjitalizimin e hartave. Por të harrojë kushdo që mendon se mund të legalizojë në kundërshtim me ligjin apo pas afateve. Ato ditë kanë marrë fund,” tha Rama.
Kryeministri e bëri të qartë se nuk do të ketë më “dialog” me ata që kanë ndërtuar për fitim personal, duke shkelur ligjin dhe uzurpuar hapësirat publike.
“Çdo ngrehinë e ngritur në kundërshtim me ligjin, përfitim personal apo në zona të mbrojtura, do të rrafshohet. Nuk do të ketë më asnjë ndalim, asnjë tolerancë në këtë proces,” theksoi ai.
Rama kërkoi angazhimin e të gjithë deputetëve të mazhorancës për të qenë pranë komuniteteve dhe për të mbështetur shumicën dërrmuese të qytetarëve që, sipas tij, janë penguar përditë nga ndërtimet e paligjshme.
“Të gjitha skuadrat e deputetëve që morën 83 mandate duhet të jenë në terren, në mbështetje të qytetarëve që vuajnë nga kaosi urban dhe pushtimi i hapësirave publike,” deklaroi Kryeministri.
Ai e cilësoi Tiranën si zonën më të ndjeshme për nga intensiteti i ndërtimeve pa leje, duke theksuar se ka nisur një punë e mirë nga Inspektorati, por duhet përforcuar në të gjithë territorin.
“Nuk ka lagje në Tiranë që të mos ketë zaptuesin e vet. Të gjitha të dhënat që po mblidhen nga deputetët duhet të përkthehen në plane konkrete veprimi,” përfundoi Rama./L.F-dritare.net

















