
Aksioni në Theth, Rama: Nuk bëhet fjalë për disa të shkretë, shumë prej tyre nuk janë as banorë!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama, në një takim me deputetët e Tiranës ditën e sotme, ka komentuar aksionin e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për banorë të zonës apo për nevoja jetese, por për ndërtime me qëllim përfitimi.
“Dua të ndalem një moment te çështja e Thethit për të adresuar disa këndvështrime që, sipas meje, meritojnë të sqarohen – qasja jonë dhe qëndrimi ynë për këtë situatë,” u shpreh Rama.
Ai kritikoi retorikën që fajëson shtetin për situatën, duke thënë se nuk mund të mbrohen ata që kanë ndërtuar në shkelje të ligjit.
“Ka një teori që për mua është për të ardhur keq, sikur përgjegjësinë e ka vetëm shteti. Disa përpiqen ta paraqesin sikur kemi përballë disa ‘të shkretë’ që kanë ndërtuar për të jetuar, dhe nga ana tjetër një shtet që i ka lënë dhe pastaj i godet. Nuk është kështu,” theksoi ai.
Kryeministri shtoi se në shumë raste nuk bëhet fjalë për banorë të zonës, por për individë që kanë ndërtuar për interesa komerciale dhe në mënyrë të paligjshme.
“Në rastin flagrant që u bë edhe shkak për këtë aksion, kemi të bëjmë me një pushtim kriminal në qendër të Thethit – pjesa më e ndjeshme e parkut, kartolina e njohur e zonës,” tha Rama, duke shtuar se Policia e Shtetit po heton mbi këtë rast dhe mbi ata që fshihen pas ndërtimeve të paligjshme.
Ai pranoi gjithashtu se edhe strukturat shtetërore mbajnë përgjegjësi për mosparandalimin në kohë të këtyre shkeljeve, por theksoi se kjo nuk e amniston shkelësin e ligjit./E.P-dritare.net

















