
Ina Majko: Kur Skënderbeu erdhi në Krujë, romët e pritën me dajre!
Dritare.net
Ina Majko, kandidate për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, është e para vajzë nga komuniteti rom që garon për një vend në Parlamentin e Shqipërisë.
Në një intervistë në emisionin Dekalog me gazetarin Roland Qafoku në DritareTV, ajo tha një frazë ku sipas kandidates tregon se paragjykimet ndaj komunitetit rom nuk kanë më vend dhe se komuniteti rom e ka gjetur gjithmonë veten në Shqipëri.
“Qytetarët jo-romë të Delvinës kanë arritur të shembin në mendjet e tyre çdo paragjykim ndaj komunitetit rom. Një burrë i moshuar, kur mori vesh se po kandidoja, erdhi dhe më tha: “Bravo, je krenaria e vendit tonë.” Jam ndjerë shumë mirë. Ata kanë arritur të shohin mua dhe familjen time pa ngjyrat e racizmit, thjesht ashtu siç jemi. E them me bindje: nëse qytetarët e Delvinës kanë arritur ta bëjnë këtë, çdo qytetar në Shqipëri mund ta bëjë.
Nëse unë arrij të realizoj misionin tim të fitoj respektin e të gjithë shqiptarëve atëherë mund të hapim rrugën që në politikë dhe në çdo fushë të kemi gjithnjë e më shumë përfaqësues nga komuniteti rom.
Unë e them gjithmonë që kur Skënderbeu erdhi në Krujë, romët e pritën me dajre. Prandaj besoj se do të më votojnë edhe ata që nuk janë pjesë e komunitetit tim, sepse gjatë takimeve në terren shumë njerëz më kanë konfirmuar mbështetjen e tyre dhe më kanë shprehur simpati.
Ka edhe komente në rrjetet sociale nga kundërshtarë që thonë se Partia Socialiste po më përdor. Por nëse është kështu, ku ishin ata kur unë kisha nevojë për mbështetje? Pse nuk më mbështetën ata, ashtu siç bëri Edi Rama, që të më “përdornin” ata?
Për më shumë, mund të ndiqni intervistën e plotë të Ina Majkos në emisionin Dekalog në DritareTV./E.P-dritare.net

















