
GJKKO çon për gjykim deputetin Asllan Dogjani, i akuzuar për fshehje pasurie
Dritare.net
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi këtë të mërkurë kaluar për gjykim çështjen ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani, i akuzuar nga SPAK për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Dogjani ka fshehur mënyrën e pagesës për blerjen e një apartamenti rreth 100 m², duke paguar shumicën e shumës – 126 mijë euro – në para cash. Vetë deputeti ka pretenduar se apartamentin e ka përfituar në këmbim të shërbimeve të konsulencës juridike, përmes një marrëveshjeje.
Por SPAK thekson se kontrata e dorëzuar në ILDKPI është fiktive, me qëllim fshehjen e burimit real të pasurisë. Për më tepër, u zbuluan dy kontrata me data të ndryshme – 6 shtator dhe 6 dhjetor 2006 – të cilat mbajnë të njëjtin numër regjistrimi, por ndryshojnë në mënyrën e përfitimit të apartamentit.
“Kjo tregon qartë që kontrata është hartuar në mënyrë të rreme për të mbuluar burimin real të pasurisë së paluajtshme,” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Çështja ndaj Dogjanit do të shqyrtohet tani nga Gjykata e Posaçme, ndërsa pritet reagimi zyrtar i deputetit dhe i Partisë Demokratike./L.F-dritare.net

















