
Ekstradohet Denis Bajri/ Akuzohet se vrau mikun e tij Gjin Boriçi me urdhër të Martinajt!
Dritare.net
Dubai pritet të dorëzojë sot autoriteteve shqiptare Denis Bajrin, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, i arrestuar më 27 shkurt 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe. Bajri është nën hetim për pesë akuza të rënda, përfshirë vrasje me paramendim në bashkëpunim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Ekstradimi po finalizohet falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit “The Wanted”. Policia konfirmon se Bajri është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ekstradimi i tij do të bëhet nën masa të rrepta sigurie. Ora e mbërritjes në Shqipëri do të njoftohet më vonë.
Denis Bajri u shpall në kërkim ndërkombëtar si pjesë e megaoperacionit “Metamorfoza”, për vrasjen e Gjin Boriçit (Ndojit) në Vau Dejës më 9 gusht 2020, një krim që, sipas komunikimeve të zbuluara në aplikacionin e koduar “SkyECC”, u porosit nga Ervis Martinaj, për shkak të konkurrencës në tregun e lojërave të fatit.
Në bisedat e zbuluara nga autoritetet franceze, Denis Bajri njoftonte “kryvi” pas vrasjes – mesazh që ia dërgonte si Behar Bajrit, ashtu edhe vetë Martinajt. Provat e SPAK përfshijnë përgjime që përputhen në mënyrë të saktë me momentet e krimit.
Prapaskena e krimit: Pëllumb Gjoka dyshohet se ka pajtuar Behar Bajrin për eliminimin e Gjin Boriçit. Behari ia delegoi porosinë Denisit, ndërsa më vonë Gjoka kërkoi edhe vrasjen e një ish-polici burgu – Kleanth Musabelliu – që mbeti gjallë.
Denis Bajri pritet të përballet me drejtësinë shqiptare për një sërë krimesh të rënda, në një nga dosjet më komplekse të krimit të organizuar në vend./L.F-dritare.net

















