Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dy të arrestuar për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, një tjetër në kërkim

Dy të arrestuar për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla në

Dy persona janë arrestuar nga policia në lidhje me vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Elbasan. Në pranga ka rënë ish-ortaku i viktimës, i akuzuar për vrasje, si dhe roja i karburantit “Xhaxhi Oil”, për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Ndërkohë, Naldi Gjini vijon të mbahet i shoqëruar pa fletë arresti, pasi dyshohet se ka qarkulluar ditët e fundit me automjetin e përdorur nga autorët e krimit. Një person tjetër është shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentat.

Sipas të dhënave paraprake, automjeti i përdorur nga autorët ishte në pronësi të biznesit të viktimës, i cili merrej me dhënie makinash me qira. Mjeti u dogj më pas në fshatin Mirakë të Librazhdit dhe brenda tij u gjet edhe një pistoletë “Beretta”, e dyshuar si arma e përdorur në krim.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, në momentin që 43-vjeçari Mondi Mëhalla po dilte nga një zyrë në karburantin e tij “Xhaxhi Oil” dhe po hipte në mjetin tip “Range Rover”. Njëri nga autorët ka zbritur nga një automjet tip “Audi” dhe e ka qëlluar tre herë me pistoletë, dy prej plumbave e goditën në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët janë larguar më pas në drejtim të Librazhdit.

Viktima nuk ishte i panjohur për policinë, pasi rezultonte me precedentë penalë për drogë dhe armëmbajtje pa leje. Ai banonte në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit, por kishte përqendruar prej vitesh aktivitetin e tij të biznesit në Elbasan. Përveç karburantit “Xhaxhi Oil”, ai ishte pronar edhe i shërbimit taksi “El Taxi” dhe më herët kishte pasur në pronësi edhe lokalin e njohur “Hollywood Lounge Bar”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë vijojnë./L.F-dritare.net