
Dilaver Goxhaj: Bukoshi dha llogari për fondet e luftës së Kosovës, por LPK-ja pati probleme
Dritare.net
Në emisionin Shqip me Rudina Xhungën në DritareTV, u fol për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Kosovës në mërgim, Dr. Bujar Bukoshi. Bukoshi u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë e Kosovës, sidomos gjatë periudhës së luftës dhe ekzilit politik.
I ftuar në emision ishte ish-ushtaraku Dilaver Goxhaj, i cili ndau kujtime dhe vlerësime për figurën e Bukoshit, duke theksuar kontributin e tij për Kosovën dhe për menaxhimin e fondeve të mbledhura nga diaspora shqiptare.
“Doktor Bukoshi ka drejtuar qeverinë e Kosovës në ekzil, në Gjermani. Ai ka ndihmuar në luftë, duke na dhënë fonde të mbledhura nga shqiptarët në mërgim në vite,” – tha Goxhaj.
Ai sqaroi se diaspora shqiptare kishte një rol vendimtar në financimin e përpjekjeve për liri, përmes dy fondeve të njohura: fondit 3% dhe atij “Vendlindja Thërret”.
“Fondi 3% e dorëzonin të gjithë shqiptarët, edhe pse LPK-ja kishte krijuar një fond tjetër. Fondi ‘Vendlindja Thërret’ ishte direkt për luftën. Paguanin gjithë shqiptarët në diasporë. Anëtarët e LPK-së e kishin detyrë 1.000 marka në muaj, një markë me 300 lekë tonat. E kishin detyrë ta bënin dhe paguanin. Do të thotë, ti punoje jashtë, mbaje familjen, por kishe detyrim edhe ndaj atdheut. Kanë qenë të jashtëzakonshëm,” -u shpreh ai.
Në vijim, Goxhaj solli në kujtesë momentin kur Bukoshi dha llogari për fondet e mbledhura, pas mbledhjes së Kuvendit të Kosovës në mars të vitit 1998.
“Kur u mblodh ai Kuvendi i Kosovës, i cili qe zgjedhur pas luftës së Prekazit, Bukoshi dha llogari: "Kemi grumbulluar kaq milionë, më kanë ngelur dhe 63 milionë marka në fondin e Kosovës." Kuvendi e quajti të saktë përgjigjen." Goxhaj theksoi se sa i përket vetë Bukoshit, nuk ka asnjë provë për keqpërdorim të fondeve.
“Bukoshi dha llogari për fondet dhe i dorëzoi në Bankën e Kosovës. Nuk ka fakte që ai i keqpërdori. Por LPK-ja pati probleme.”
Ndarja nga jeta e Dr. Bujar Bukoshit është përkujtuar si humbje e një figure me rol kyç në fazat vendimtare të shtetformimit të Kosovës. Për shumë shqiptarë, ai mbetet simbol i përpjekjes për liri në rrethana të vështira dhe të pasigurta./K.C/dritare.net

















