
Braçe: Pse nuk dua eksponentë demokratë në qeverisjen e PS-së!
Dritare.net
Në emisionin “Dekalog” në DritareTV, Erion Braçe komentoi fitoren e Partisë Socialiste, e cila arriti të sigurojë 83 mandate në këshillat bashkiakë. Ai theksoi:
“Ky pushtet nuk është vetëm për PS-në, por për qytetarët. Duhet të punojmë për reforma të thella dhe të forta, që përfshijnë të gjithë dhe shtyjnë përpara zhvillimin e qyteteve tona.”
Braçe vuri në dukje kontributin e deputetëve të rinj dhe aktivistëve nga shoqëria civile:
“Doja të thosha që 83 mandatet nuk janë vetëm të socialistëve. Nuk bëhen dot vetëm me socialistët. Kanë qenë edhe të tjerë njerëz që janë përtej Partisë Socialiste dhe që kanë kontribuar për këtë rezultat. Kështu që, pa tjetër që pushteti duhet ndarë edhe me ta.”
Në lidhje me pjesëmarrjen e eksponentëve të Partisë Demokratike në strukturat e pushtetit, Braçe u shpreh qartë:
“Me demokratët jo.”
Gazetari Qafoku përmendi një shembull konkret nga Vlora, ku drejtori i hipotekës është nga PD-ja. Braçe tha:
“Nuk e di. Nuk jam interesuar. Ajo që më intereson tani është që drejtori i hipotekës së Vlorës duhet të kuptojë që atje nuk është më kryetari i PD-së. Ai është funksionari i Kadastrës dhe duhet t’u përgjigjet njerëzve në përputhje me ligjin dhe detyrën që ka marrë për t’u bërë.”
Ai shtoi:
“Nëse bën këtë gjë, në rregull. Nëse bën diçka tjetër, nuk e pranoj. Personalisht nuk preferoj të marr nga PD-ja dhe t’i bëj udhëheqës.”
Ky qëndrim vjen në kuadër të debatit për menaxhimin e pushtetit vendor dhe përfshirjen e aktorëve politikë nga forca të ndryshme në administratën lokale pas zgjedhjeve./K.C/dritare.net

















