
Albpetrol derdh naftë në Vjosë. Rrezikohet lumi i fundit i egër në Evropë
Dritare.net
Një ndotje e rëndë mjedisore është shënuar në lumin Vjosa, i shpallur Park Kombëtar dhe konsideruar një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Pamjet e publikuara nga organizata “EcoAlbania” tregojnë derdhjen e naftës bruto nga “Përroi i Madh” në afërsi të Poçemit në Mallakastër, duke shkaktuar ngordhjen e gjallesave si gjarpërinj dhe amfibë. Përroi mbart ndotjen nga fusha naftëmbajtëse Gorisht-Kocul, e administruar nga kompania shtetërore Albpetrol, ku gjenden rreth 150 puse aktive.
Biologu Olsi Nika nga “EcoAlbania” paralajmëroi për pasoja të rënda në gjithë ekosistemin, ndërsa theksoi se ndotja nuk është rastësore, por një problem i vazhdueshëm që kërkon ndërhyrje urgjente dhe një plan të plotë rehabilitimi.
Policia e Vlorës ka nisur procedim penal ndaj Përparim Memajt, përgjegjës sektori në pikën e dekantimit të naftës në Gorisht, pasi dyshohet si përgjegjës për ndotjen.
Kjo ndodh vetëm një muaj pasi Shqipëria aplikoi për ta përfshirë Parkun e Vjosës në Rrjetin e Rezervave të Biosferës të UNESCO-s./L.F-dritare.net

















