Ndahet nga jeta aktorja e Home Alone, fituese e çmimit Oskar
Dritare.net

Aktorja irlandeze Brenda Fricker, fituese e çmimit Oscar për rolin e saj në filmin "My Left Foot" dhe e njohur gjithashtu për interpretimet në "Home Alone 2" dhe serialin "Casualty", ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare.
Fricker fitoi çmimin Oscar për Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor në vitin 1990, falë interpretimit të nënës së personazhit të luajtur nga Daniel Day-Lewis në filmin "My Left Foot". Me këtë arritje, ajo u bë aktorja e parë irlandeze që fitonte një çmim të Akademisë.
Lajmin e konfirmoi agjenti i saj, Phil Belfield, i cili e përshkroi Fricker si një artiste të pazëvendësueshme.
"Një artiste si Brenda nuk do ta shohim më kurrë. Bota është më e varfër pa të. Ishte nder ta njihja, ta doja dhe të punoja me të. Ajo do të mbetet gjithmonë në zemrën time dhe të miliona adhuruesve të filmit dhe televizionit në mbarë botën", u shpreh ai.
E lindur në Dublin, Brenda Fricker e nisi karrierën në teatër dhe televizion në vitet 1960. Ajo interpretoi në telenovelën e parë irlandeze "Tolka Row", më pas në serialin britanik "Coronation Street" dhe në dramën televizive "Licking Hitler".

Në vitin 1986 u bë pjesë e kastit të episodit të parë të serialit mjekësor të BBC-së "Casualty", ku interpretoi infermieren Megan Roach. Ajo qëndroi në serial deri në vitin 1990 dhe u rikthye disa herë në vitet pasuese, me paraqitjen e fundit në vitin 2010.
Një tjetër rol që mbeti në kujtesën e publikut ishte ai i gruas së pastrehë që kujdesej për pëllumbat në "Home Alone 2" (1992), ku luajti përkrah Macaulay Culkin.
Në karrierën e saj spikasin edhe filmat "So I Married an Axe Murderer" (1993), "Angels in the Outfield" (1994), "A Time to Kill" (1996) dhe "Veronica Guerin" (2003).
Megjithatë, në një intervistë për The Times në vitin 2024, Fricker kishte deklaruar se fitorja e Oscarit nuk i hapi aq shumë dyer sa pritej. Sipas saj, suksesi e kufizoi në role të ngjashme dhe bëri që të anashkalohej për shumë projekte të tjera, përfshirë edhe ato teatrale./K.C/dritare.net