
Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” është shtyrë dhe nuk do të zhvillohet më në datat 11–15 nëntor, siç ishte parashikuar fillimisht. Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila ka njoftuar se aktiviteti do të zhvendoset në muajin dhjetor.
Dritare TV ka një thirrje kundër shtyrjes së panairit, duke theksuar rëndësinë e librit dhe të leximit pikërisht në kohë të vështira, kur shoqëria përballet me urrejtje, polarizim dhe dhunë.

“Për shkak të situatës Panairi i Librit do të shtyhet! Kjo nuk duhet të ndodhë. Në një kohë kur jemi të rrethuar nga urrejtja online e në rrugë, nga polarizimi dhe dhuna, një nga të paktat gjëra që mund të bëjë njeriu për të shpëtuar shpirtin është një libër i ri.
Ata që morën këtë vendim, për Panairin më vonë, duhet ta dinë se më vonë se tani do të jetë edhe më keq. Gjithmonë do të jetë kohë e keqe, nëse nuk përpiqemi ta bëjmë më të mirë.
Lexoni libra! Mos e shtyni leximin për një kohë më të mirë. Ajo kohë nuk vjen vetë.
Kush i merr këto vendime? Kush na e ndalon edhe librin?!
Kthejeni Panairin e Librit!
Sepse pikërisht në kohë të vështira kemi më shumë nevojë për libra.”/dritare.net