Varësia nga blerjet! Ja si e shpjegon psikologia!
Dritare.net

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila
Unë që po ju shkruaj jam një zonjë që kam një problem të madh me veten time. Unë nuk hedh sende apo rroba të vjetra. Më dhemb shumë t'i fal apo t'i hedh. I kam mbushur dollapët madje vazhdoj e shkoj të ble pa e kuptuar as vet. Më thoni diçka ju lutem. Faleminderit.
Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet
Përshëndetje, lexues të Dritare.net!
Tendenca për të ruajtur objekte mund të kthehet në modë apo një koleksion me të cilin jemi të lidhur, mund të jetë e zakonshme tek shumë njerëz. Shpesh, pas kënaqësisë së ruajtjes së objekteve të caktuara ose vështirësisë së ndarjes prej tyre, mund të fshihet një nevojë për siguri, dëshira për të ruajtur një kujtim ose thjesht frika e keqardhjes për hedhjen e diçkaje që mund të jetë e dobishme në të ardhmen.
Sjellja e grumbullimit mund të shoqërohet me çrregullime të tjera si ankthi dhe depresioni. Dëshira për të grumbulluar sende nuk manifestohet gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Shkaqet e sjelljes së grumbullimit mund të jenë nga më të ndryshmet dhe zakonisht përfshijnë një kombinim faktorësh psikologjikë dhe mjedisor. Shumë persona me këtë sjellje krijojnë lidhje të forta emocionale me objektet. Ata mund t’i shohin sendet si pjesë të identitetit të tyre, si kujtime të rëndësishme ose si objekte që mund të kenë vlerë në të ardhmen.
Kjo lidhje emocionale e bën shumë të vështirë hedhjen e sendeve, edhe kur ato nuk kanë funksion praktik. Këto situata nuk ndikojnë vetëm tek ata që përfshihen në to, ato mund të ndikojnë në të gjithë familjen. E dashur lexuesja jonë kjo situatë kërkon kohë. Në këndvështrimin tim si fillim për t’ju ndihmuar do t’ju sugjeroja të kuptoni arsyet e grumbullimit. Nëse ruan sende për arsye sentimentale, zgjidh të mbash vërtet disa objekte që kanë më tepër rëndësi. Mbaj një liste të gjërave që të shmangësh blerjen e dyfishtë.
E dashur lexuesja jonë imagjino sikur po zhvendosesh në një shtëpi tjetër dhe mund të marrësh vetëm gjysmën e sendeve që ke, kjo do t’ju ndihmojë të keni më pak tendencë për këtë sjellje. Lexuesja jonë prano parehatinë që nëse largon një send mos e interpreto si shenjë që po bën gabim. Sjellja e grumbullimit të sendeve është një realitet kompleks që shkon përtej çorganizimit ose frikës nga heqja dorë nga sendet personale.
Pas kësaj sjelljeve mund të qëndrojnë përvoja të thella emocionale, dobësi njohëse dhe kuptime personale që meritojnë të përqafohen dhe të kuptohen pa gjykim. Pranimi i vështirësisë dhe kërkimi i mbështetjes është një akt i guximit të madh, pika e vërtetë e fillimit për ndryshim. Uroj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj. Gjithë të mirat!/dritare.net