Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Stresi më shkakton marramendje. Çfarë të bëj!

Stresi më shkakton marramendje. Çfarë të bëj!

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila. Unë që ju shkruaj jam një vajzë e cila kur stresohem më merren mendtë. Kur më ndodh marramendja më kap edhe ankthi dhe futem në një gjendje që nuk arri ta kuptoj. Të lutem a mund të më thuash diçka në lidhje me këtë situatë? Faleminderit!

Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet!

Përshëndetje lexues të Dritare.net

Lidhja midis stresit dhe marramendjes nuk duhet nënvlerësuar ,nuk është thjesht një shenjë shqetësimi, por një gjendje që mund të kufizojë mirëqenien e përditshme dhe të shkaktojë një rreth vicioz që është i vështirë për t'u thyer. Ankthi shkakton marramendje dhe frika nga marramendja nga ana tjetër nxit ankthin. Shpesh , sfida më e madhe është të kuptuarit e shkaqeve të kësaj marramendjeje e cila sfidon shpjegimin e menjëhershëm mjekësor dhe mund të lërë një ndjenjë konfuzioni dhe pafuqie.

Stresi dhe ankthi shkakton marramendje pasi trupi i njeriut funksionon përmes proceseve komplekse, të sakta dhe të ndërlidhura. Stresi vepron si një sinjal alarmi që aktivizon sistemin nervor. Marramendja e shkaktuar nga stresi mund të jetë një përvojë e frikshme , por është një fenomen i kuptueshëm dhe mbi të gjitha i menaxhueshëm . Në këndvështrimin tim e dashur lexuesja jonë frymëmarrja diafragmatike mund të qetësojnë simptomat.

Ndonjëherë, ndryshime të vogla, por të vazhdueshme në stilin e jetës mund të bëjnë një ndryshim të madh. Kujdesi për trupin tuaj është një mënyrë e drejtpërdrejtë për të qetësuar mendjen tuaj. Mbajtja e një rutine të rregullt, zvogëlimi i konsumit të stimuluesve si kafeina, angazhimi në aktivitet fizik të moderuar dhe ngrënia e një diete të ekuilibruar janë të gjitha strategji efektive për uljen e niveleve të stresit dhe, rrjedhimisht, zvogëlimin e intensitetit dhe frekuencës së marramendjes. E dashur lexuesja jonë e rëndësishme është të dëgjoni sinjalet që ju dërgon trupi juaj. Të mësosh t’i dëgjosh këto sinjale është një hap i mirë për të rifituar kontrollin. Ndërhyrja e hershme është thelbësore për të parandaluar simptomat kronike, të cilat mund të çojnë në një përkeqësim të cilësisë së jetës. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në gjendjen tuaj. Gjithë të mirat!/dritare.net