Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Konflikti i armatosur në Palasë, Lamallari: Personat në kërkim do të dalin para drejtësisë!

1788530340_besfortlamallari.jpg

Policia po punon me prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve të përfshirë në konfliktin e armatosur në resortin "Regina Palm" në Vlorë. Këto ishin fjalët që tha nga Kukësi ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari në Forumin Publik për Sigurinë, të zhvilluar në Kukës.për atë që ndodhi një ditë më parë në qytetin bregdetar.


"Ajo çfarë është e rëndësishme, pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit. Siç e tha drejtori, edhe tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore. Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë. Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të gjitha udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe, patjetër, për vënien para përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situatë", u shpreh Lamallari.


Ngjarja, që vijon të hetohet, ka nxjerrë deri tani dy versione të kundërta për motivin e përplasjes. Biznesmeni Vasil Bedinaj pretendon se është kërcënuar me një gjobë prej 5 milionë eurosh, ndërsa Luan Muça dhe mbrojtja e tij kanë deklaruar se konflikti lidhet me një çështje pronësie për një investim në bregdetin e Dhërmiut. Sipas drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, verifikimet për pretendimet e të gjitha palëve vijojnë.

"Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë. Vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, edhe në këto momente që jemi së bashku, vazhdojnë veprimet procedurale, edhe në bashkëpunim me prokurorinë. Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve", deklaroi Hita