Jahti në Palasë dhe ndjekja 2-orëshe në det, kush është 31-vjeçari i ndaluar
Dritare.net

Bruno Çela është një prej katër personave të ndaluar nga policia pas incidentit në një jaht në zonën e Palasës, nga ku u raportua se u dëgjuan të shtëna.
Sipas informacioneve, 31-vjeçari, së bashku me tre persona të tjerë, tentoi t’i largohej policisë. Ndjekja në det zgjati rreth dy orë, përpara se mjeti lundrues të ndalohej dhe personat në bord të shoqëroheshin nga efektivët.
Bruno Çela është djali i Geront Çelës, pronarit të biznesit “Brunes”, që operon në sektorin e pllakave dhe pajisjeve hidrosanitare.
Sipas të dhënave të bëra publike, Çela rezulton gjithashtu aksioner në disa kompani, mes tyre “MennYacht Albania”, “AKBC Invest” dhe “BB Orikum Invest”, të lidhura me sektorin e mjeteve lundruese, ndërtimit dhe menaxhimit të strukturave turistike. Emri i tij rezulton gjithashtu i lidhur me kompaninë “Vlora Marina”.
Policia vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të ndaluar./L.F-dritare.net