Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit del nga qelia pas dy muajsh, Gjykata e lë në arrest shtëpie

Vetëm dy muaj pas arrestimit, ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, Elizabeta Mataj, ka lënë qelinë. Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke vendosur që Mataj të vijojë hetimin në masën “arrest në shtëpi”.

Vendimi është marrë këtë të enjte, më 25 shtator 2026, gjatë një seance të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, nën drejtimin e gjyqtarit Xhevdet Lika.

Mataj ishte arrestuar më 18 korrik 2026, pasi dyshohet se, së bashku me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana, ka përvetësuar rreth 700 mijë euro të destinuara për pagesën e pensioneve në Krujë dhe Shijak.

Gjykata ka arsyetuar se “rrethanat kanë ndryshuar”, duke vendosur zëvendësimin e masës “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”. Në vendim nuk bëhen të ditura në mënyrë të detajuar rrethanat e reja që kanë ndikuar në ndryshimin e masës së sigurisë.

Sipas vendimit, Mataj urdhërohet të qëndrojë në banesën e saj në Durrës dhe të mos largohet prej saj. Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar lirimin e saj të menjëhershëm nga dhomat e paraburgimit, nëse ajo nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.

Dyshimet e Prokurorisë

Sipas hetimeve, kamerat e sigurisë kanë dokumentuar 11 raste në të cilat thasët me para përfundonin në zyrën e ish-drejtoreshës, ndërsa në sistem fondet rezultonin të dërguara drejt degëve të Postës në Krujë dhe Shijak.

Prokuroria dyshon se paratë e destinuara për pensionet janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa në kuadër të hetimit janë ngritur edhe dyshime se një pjesë e shumave mund të jetë shpenzuar në kazino.

Për të njëjtën çështje, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana ndodhen nën masën “arrest në shtëpi”.

Bashkëshorti i Matajt u emërua në Bashkinë e Durrësit

Pak ditë përpara ndryshimit të masës së sigurisë ndaj Elizabeta Matajt, bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, u emërua në një pozicion drejtues në Bashkinë e Durrësit, si përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Durrësit mund të ankimohet brenda pesë ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Hetimet ndaj Elizabeta Matajt dhe dy personave të tjerë vijojnë./L.F-dritare.net