Rama sot në OKB, pritet të mbajë fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme: Ja axhenda!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama do të përfaqësojë Shqipërinë sot në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, ku pritet të mbajë fjalimin e tij përpara liderëve dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare.
Sipas axhendës së publikuar, Rama do të mbërrijë në selinë e Kombeve të Bashkuara rreth orës 16:20, ndërsa adresimi i tij në Asamblenë e Përgjithshme pritet të nisë rreth orës 17:00.
Një nga pikëpyetjet që mbetet për t’u parë është nëse gjatë fjalës së tij kryeministri do t’i referohet edhe zhvillimeve të fundit që lidhen me ish-pjesëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së, çështje që ka shkaktuar reagime të shumta në hapësirën shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Rama ka zhvilluar gjithashtu një takim me komunitetin shqiptar në Michigan. Vizita e tij zhvillohet në kuadër të pjesëmarrjes së Shqipërisë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të cilat zhvillohen gjatë kësaj jave në Nju Jork.
Debati i Përgjithshëm i sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme zhvillohet nga 22 deri më 26 shtator dhe më 28 shtator, në selinë e OKB-së në Nju Jork./L.F-dritare.net