Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump shtron tryezën për Xi Jinping. Dhurata e papritur dhe mysafirët që ranë në sy

fdfdfdfd.PNG

Presidenti amerikan Donald Trump shtroi të enjten mbrëmjen një darkë shtetërore luksoze në Shtëpinë e Bardhë në nder të homologut kinez, Xi Jinping. Të dy udhëheqësit e cilësuan takimin si fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit.

"Nuk kemi shkuar kurrë më mirë me njëri-tjetrin", deklaroi Trump para të ftuarve, ndërsa ngriti dolli për një të ardhme me "harmoni, paqe dhe sukses" për të dy kombet.

Nga ana e tij, Xi theksoi se SHBA dhe Kina duhet të sillen si "vende të mëdha dhe të përgjegjshme" për të përmbushur pritjet e popujve të tyre.

Xi: Ramë dakord për "stabilitet strategjik"

Lideri kinez falënderoi mikpritësit për vëmendjen që i treguan atij dhe bashkëshortes, duke thënë se u ndjenë si në shtëpinë e tyre. Sipas tij, dy vendet po "bëjnë histori" në marrëdhëniet dypalëshe.

"Ne ramë dakord të ndërtojmë një marrëdhënie konstruktive Kinë-SHBA me stabilitet strategjik", u shpreh Xi, duke shtuar se bisedimet ishin të sinqerta dhe të thella.

Në fjalimin e tij, ai i rikthehet historisë së përbashkët: aleancës gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër Japonisë dhe "diplomacisë së ping-pongut" të epokës Nixon. Xi i ftoi të dyja palët të kërkojnë një qasje të re bashkëjetese mes fuqive të mëdha.

Shqiponja tullace dhe salla e vallëzimit

Trump i dhuroi mysafirit një skulpturë të shqiponjës tullace, simbolit kombëtar amerikan, duke treguar se në dizajnin e saj kishin marrë pjesë ai dhe Zonja e Parë, Melania.

Presidenti amerikan bëri edhe një devijim të papritur në fjalim: i ofroi Xi-së dhe bashkëshortes "privilegjin" të jenë ndër të parët që do të hyjnë në sallën e re të vallëzimit të Shtëpisë së Bardhë, projekt që pritet të përfundojë pas rreth një viti.

Elita e teknologjisë në një tavolinë

Lista e të ftuarve përfshiu anëtarë të kabinetit, familjen e Trump (Ivanka, Eric dhe Tiffany), si dhe emrat më të mëdhenj të industrisë amerikane të teknologjisë: Tim Cook (Apple), Sam Altman (OpenAI), Sundar Pichai (Google), Jeff Bezos (Amazon), Jensen Huang (Nvidia) dhe Mark Zuckerberg (Meta).

Cook, Huang dhe Elon Musk u ulën në të njëjtën tavolinë me dy presidentët. Musk u pa duke biseduar me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe duke argëtuar të pranishmit. Në darkë morën pjesë edhe drejtues të General Motors, Visa, ExxonMobil, Paramount Skydance, si dhe miliarderi Jeff Yass, aksionar i TikTok.

"Të gjithë donin të ishin atje", pat deklaruar Trump para eventit.

Mungesa që ra në sy ishte ajo e Anthropic, një nga kompanitë më të vlefshme të inteligjencës artificiale. Sipas BBC, nuk është e qartë nëse kompania nuk ishte ftuar apo zgjodhi të mos merrte pjesë.

Jashtë Shtëpisë së Bardhë, mbërritja e të ftuarve u shoqërua me protesta. Disa protestues u arrestuan.

Menyja: shije amerikane me prekje kineze

Darka, e organizuar nga zyra e Melania Trump, u ndërtua mbi përbërës amerikanë me ndikime kineze. Në tavolinë u shërbyen kungull, kërpudha të egra dhe pançetë, levrek me kore susami, bok choy dhe patëllxhan i pjekur, ndërsa ëmbëlsira ishte krem vaniljeje me qershi të tharta dhe akullore me mjaltë nga koshertë e Shtëpisë së Bardhë. Mbulesat e kuqe të tavolinave simbolizonin fatin e mirë sipas traditës kineze.

Vera e zgjedhur, Schramsberg Blanc de Noirs, ishte një homazh për "Dollinë për Paqen" të vitit 1972 mes Nixon dhe kryeministrit kinez Zhou Enlai.

Shumë ceremoni, pak rezultate

Pavarësisht tonit të ngrohtë, ekspertët paralajmërojnë se vizita nuk ka sjellë ende përparim të dukshëm në çështjet kryesore mes dy vendeve, përfshirë garën për epërsi në inteligjencën artificiale.

Të premten, Trump dhe Xi do të pinë çaj me bashkëshortet në Dhomën e Kuqe dhe më pas do të vizitojnë Arkivin Kombëtar, ku ruhen Kushtetuta, Deklarata e Pavarësisë dhe Karta e të Drejtave. Presidenti kinez do të largohet nga Uashingtoni më vonë gjatë ditës./ BBC