

Të huajt e parë me të cilët jam ulur e kam folur gjerë e gjatë mbaj mend se ishin ca misionarë të krishterë. Na mblodhën kokrra-kokrra nëpër shkolla e na ftuan në ca si tip orësh bashkëbisedimi në ish pallatin e pionierit. Ç’emocion! Unë nuk isha ndër nxënësit që flisnin më shumë në grup derisa na ndanë tek e tek, pra një misionar(e) dhe një nxënës(e). Aty jo vetëm që fola e fola pa pushim, por fillova edhe po qaja. Sa shumë gjera që kisha pasur për të folur! Sa shumë gjëra që s’ia kisha besuar askujt deri atëherë.
Tani, pas më shumë se 25 vjetësh, më kujtohet gjithmonë biseda me Mary-n (kështu quhej misionarja). Sa herë shoh burra e gra me zarf në dorë tek recepsioni i zyrës, duke u munduar t’i shpjegojnë rojës hallin e tyre të ri apo të lashtë, duke kërkuar të takohen me shefin e madh e, në pritje të përgjigjes. Duke u përpjekur të ndeshin shikimin e dikujt, ndonjë të huaji mundësisht, që mund të jetë aq i ndjeshëm sa të ulet e t’i dëgjojë, pa t’u japë një të shkundur të mirë atyre që i kanë katandisur në atë derexhe e t’ua zgjidhin hallin njëherë e mirë. Dhe nuk janë adoleshentë si unë atëherë. Janë nëna e baballarë, gjyshër e gjyshe që, me të njëjtën pastërti e besim, shpresojnë se diku do të gjejnë një vesh, një zemër e një dorë të fortë për t’i shpëtuar nga stërmundimet e gjata.
E më kujtohet S, një vajzë 16 vjeçare nga një fshat i Lezhës, që merrte pjesë në një nga aktivitetet tona kundër trafikimit të femrave në vitet 2000. Pas hyrjeve e prezantimeve të radhës, trajnerët u futën drejt e në temë. Ajo tha se nuk ndihej mirë dhe doli. Njëra nga dy trajnerët e ndoqi pas dhe ma bëri me shenjë ta shoqëroja. Vajza gjeti një qoshe në një korridor të vogël e filloi të qante me dënesë. Dikur, mes lotësh, iu drejtua anglezes dhe tha:
- Ku e merr me m’trafiku!
Anglezja priste t’i përktheja, ndërsa unë prisja S-në të kthjellohej e të kuptoja ndonjë gjë më shumë, kur ajo vazhdoi:
- Mua më përdhunon vllau im i madh vazhdimisht.
Mësuam se kjo ndodhte sa herë që meshkujt e tjerë të shtëpisë shpërndaheshin nëpër tokëza e bagëti dhe femrat shkonin gjysmë ore larg për të mbushur ujë.
Nuk e di ku ka përfunduar sot S-ja. Nuk kam dëgjuar për të. As trajneren e huaj që dinte shqip e që kushedi në ç’vend të botës trajnon sot, nuk e kam takuar më. Nuk di sa e ku janë edhe S-ra të tjera nëpër Shqipëri që e kanë vështirë të gjejnë qoftë edhe një trafikant. Ndoshta trajnerët dhe ambasadorët dinë shumë më shumë. Nuk di as nëse i bën njeri listat e tyre në mbledhjet e bashkërendimit të ndihmës së huaj e hartimit të strategjive e planeve të veprimit.
Qofsh mirë S, kudo qofsh!/Dritare.net
*Historitë e këtij blogu janë të gjitha reale. I trilluar është vetëm emri i autores.

















