Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Në fshatin Merhoj të Elbasanit, qëndron stoike një banesë dykatëshe e fisit Zena. Ishte pikërisht kjo familje që në 8 nëntor të 1943-shit, shpëtoi dhe strehoi 30 infermierë dhe mjekë amerikanë, që ranë në tokën e panjohur gjatë stuhisë së fortë të atij viti.

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Mesut Zena ishte i zoti i shtëpisë që i dha darkën e parë amerikanëve, ku në shenjë mikpritje i theri një buall dhe ua poqi në saç, ashtu siç e do tradita shqiptare. Amerikanët u habitën nga kjo mikpritje, mësuan disa tradita dhe zakone nga nusja e shtëpisë, me të cilën ndanë dhe dhomën ku fjetën. Në dokumentarin “Në besë të shqiptarëve”, ngjarja tregohet nga familjarët e fisit Zena, që kujtojnë me detaje çdo gjë që i kishte rrëfyer dikur nëna, atëherë e sapomartuar me një bebe të vogël që e mbanin me radhë infermieret amerikane.

Agron Alibali, studiues tregon në dokumentar: Këtu pas meje, në këtë shtëpi ka ndodhur një ngjarje unikale e Luftës së Dytë Botërore. Kjo shtëpi e Zenajve, ku 30 infermiere dhe infermierë amerikanë u strehuan natën e parë, kur avioni i tyre ra në liqenin e Belshit. Avioni ishte nisur nga Catania drejt Barit, ku kishte trupa amerikanë të plagosur. Por për shkak të motit të keq, piloti në atë moment humbi rrugën dhe erdhi në këtë pjesë të Adriatikut, në qiellin e Shqipërisë. Pa një fushë në Kuçovë, por menjëherë dy avionë gjermanë qëlluan drejt tyre, dhe u detyruan që të mos uleshin aty. Avioni amerikan pasi u soll vërdallë, pa një lëndinë tjetër dhe mori vendimin që të ulej, pa nxjerrë rrotat e aterimit. Amerikanët e kuptuan që shpëtuan gjallë dhe dolën nga avioni. Pas pak kohe panë fshatarë dhe luftëtarë që po vinin nga kodrat përreth. Një prej tyre ishte komandanti Hasan Gina. Ishte moment kritik shpëtimi. Falë mençurisë së Hasan Ginës, ai mori vendimin për t’i shpëtuar dhe strehuar, në një shtëpi që përballonte këtë numër të madh prej 30 vetash. Ishte familja Zena në fshatin Merhoj, ku u strehuan në katin e dytë të banesës. Atë natë është luajtur dhe muzikë nga një i ri i zonës për t’i uruar mirëseardhjen amerikanëve.

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Në kujtimet e Agnes Jensen thuhet: “Kur dolëm në mëngjes, pamë, 3 a 4 partizane me uniformë, me automatik, gati për të na mbrojtur me jetë”.

Hasan Gina, kishte siguruar që infermieret të mbroheshin nga partizanet shqiptare dhe menjëherë mori masa për evakuimin e tyre. Hasan Gina mori një vendim të parë, të evakuoheshin drejt malësisë së Elbasanit, ku tre javë më parë kishte ardhur një gjeneral britanik, dhe të bëhej sa më parë mbrojtja e amerikanëve. Ky plan u rrëzua brenda natës. Plani përfundimtar ishte që; amerikanët të largoheshin nga familja Zena dhe të niseshin në këmbë drejt Beratit. Në orën 04:00 të 9 nëntorit, kur u shpëtuan amerikanët, presidenti Rusvelt nxori një pullë amerikane me flamurin e Shqipërisë, si një nga vendet e pushtuara që do të ndihmoheshin nga aleatët.

Në familjen Zena, për herë të parë, amerikanët shijuan një darkë shqiptare, buall i pjekur në saç. Ato momente të para të kësaj ngjarje historike, janë thelbësore, për mënyrën si rrodhen ngjarjet, si iu shpëtuan 30 jetë njerëzish. Ngjarja përfundon në janar të vitit 1944. Historia është e jashtëzakonshme, një shembull shpëtimi i jashtëzakonshëm nga populli i këtij vendi, pikërisht 80 vite më parë.

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Hurma Zena: Vjehrra më ka treguar se si i ka pritur në këtë shtëpi. I mësonte se si të gatuanin. Në këtë dhomë kanë fjetur 32 veta, i kanë mbajtur pleqtë tanë. Done Zena, Mesut Zena, Seline Zena e me radhë. E kanë rrethuar në mes vjehrrën time. Vjehrra i dhuroi rroba, i strehoi, i ushqeu si fëmijët e saj. Kjo shtëpi ka pasur 8 dhoma, në to janë strehuar 30 amerikanët.

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Vjehrra më thoshte: "Ishin vajza shumë nikoqire, me kulturë. Ishin të veshura bukur, kishin dëshirë të mësonin si gatuaja në saç”. Vjehrra nuk ka marrë asnjë lek për mikpritjen, i shërbeu siç do i shërbente fëmijëve të saj. Zoti thotë ruaj, që të të ruaj.

Mevlut Zena: Unë jam nipi i Mesut Zenës, gjyshi i cili ka strehuar në shtëpinë e tij, 30 amerikanët. Natën e parë gjyshi i theri një buall. Gjyshja, nuse e re siç ishte, ka fjetur bashkë me 13 infermieret vajza, pasi kishin frikë të ndaheshin në dhomë tjetër. Nuk rrinin vetëm asnjëherë.

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Hekuran Zena: Avioni në Çestije të Belshit ka rënë në nëntor të vitit 1943. Kanë dalë banorët e fshatit në ndihmë për t’i marrë nga zona ku ranë, në ato moment amerikanët nxorën flamurin e bardhë, për të treguar se vinin nga Kryqi i Kuq.

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Një fshatar i yni, Xhevit Elezi, na tregonte momentin kur ra avioni, pasi në atë moment ishte me bagëti në atë zonë afër liqenit. Më thoshte: “Avioni u rrotullua disa herë para se të ulej, kur ra në liqen, njëra rrotë i hyri në baltë. Asnjë nga ekuipazhi nuk u dëmtua, përveç pilotit. Avionin e shpërbënë për të fshehur gjurmët, që mos të binte në dorë të gjermanëve”.

Familja Zena e kishte të vështirë komunikimin me ta, ndaj thërrasin Hasan Ginën, që ishte partizan në këtë zonë. Kur ai takohet me ta, amerikanët e pyetën: “Ku jemi, mos na vrisni“. Në këtë moment piloti shkëmben me Hasan Ginën, orën e dorës.

Shtëpia e amerikanëve në Merhoj

Më pas 30 amerikanët vijnë në këtë shtëpi dhe natën e parë e kalojnë këtu. Familja Zena i ther bagëti, buall, për t’i mirëpritur mirë.

Më pas vendosin të nisen drejt Beratit, të shoqëruar nga Hasan Gina.

Në shtëpinë Zena, nuk ka asnjë shenjë që të kujton ngjarjen, por të gjithë në zonë e quajnë, shtëpia e amerikanëve./dritare.net