Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Historia e Qani Siqeces, që amerikanët e pagëzuan Xhoni!

Historia e Qani Siqeces, që amerikanët e pagëzuan Xhoni!

Qani Siqeca një tjetër hero, një 23-vjeçar i cili e përmbushi me shumë përgjegjësi misionin e rëndësishëm për të shpëtuar jetën e 30 infermierëve dhe mjekëve amerikanë, avioni i të cilëve ra në Belsh.

Qaniu, e mori detyrën në Berat. Në kujtimet e tij për këtë detyrë, Qaniu rrëfente:

“Unë qëndrova me amerikanët, sepse dija gjuhë të huaja dhe i shoqërova deri sa mbaroi misioni dhe ata u larguan për në Amerikë. Deri në një farë kohe unë kisha një korrespondencë me amerikanët, më pas u ndërprenë për çështje politike të qeverisë tonë. Ardhja e demokracisë solli ndryshime, amerikanët erdhën në Tiranë për të na takuar neve, që i kishim shoqëruar gjatë luftës. Ata ndenjën një javë në Tiranë dhe u larguan, por lanë adresat e tyre. Pasi mora vesh ardhjen e tyre shkova në ambasadë dhe mora adresat, u shkrova për vendndodhjen dhe iu lashë adresën time..”

Historia e Qani Siqeces, që amerikanët e pagëzuan Xhoni!

Qani Siqeca nuk u takua kurrë me amerikanët që shpëtoi. Dritare Tv ra në gjurmët e djalit të tij, i cili ndodhet në SHBA. Ai na dorëzoi ditarin e babait dhe letrën me falënderimet nga amerikanët që ai shpëtoi.


Përparim Siqeca në dokumentarin“ Në besë të shqiptarëve“ në Dritare TV tregon:

“Historinë e 30 infermiereve amerikane, babai ma ka treguar kur kam qenë shumë i vogël. Por nuk mund ta rrëfenin të tjerët gjatë periudhës së komunizmit. E kishim porosi mos ta tregonim jashtë pragut të shtëpisë. Nëse kuptonin që kishe lidhje me të tjerët, të shpallnin armik. Babai më tregonte; ishte viti 1943, ai ishte partizan në Berat, ku ishte Shtabi i përgjithshëm i Luftës Nacionalçlirimtare. Babai sapo kishte ardhur nga Kosova, pasi kishte përfunduar shkollën e xhandarmerisë. Babai ishte 23-vjeç, ditën që takoi amerikanët, avioni i të cilëve kishte rënë në Belsh të Elbasanit. Shtabi i Përgjithshëm angazhoi partizanet që t’i ndihmonin ata. Babai është takuar me ta në Berat, largimi nga ky qytet ishte i vështirë, periudhë dimri, dhe forcat gjermane ishin shumë pranë. Babai dhe Kostaq Stefa ia dolën t’i largonin në kohë amerikanët. Gjatë rrugës takonin fshatarët, kryepleqtë, që t’i kërkonin ndihmë për të siguruar ushqim dhe veshmbathje. Babai dhe të gjithë që ndihmuan në këtë mision e kishin të qartë, që amerikanët duhet të largoheshin shëndoshë e mirë, ishte urdhër.

Historia e Qani Siqeces, që amerikanët e pagëzuan Xhoni!

Grupi u nda në dy grupe, në Berat ngelën 3 infermiere amerikane, pasi ishin të plagosur. Xhoni (23-vjeç) dhe Kostaq Stefa që shpëtuan këta 30 infermierë amerikanë, i nxorën nga lufta dhe i mbrojtën me jetë.

Babai im quhej Qani, por amerikanët nuk e shqiptonin dot dhe gjatë gjithë kohës e quajtën Xhoni.

Ajo që mbaj mend shumë mirë, është rrëfimi që më bënte babai për togeren, Agnes Jensen. Agnes mbante çdo ditë ditar dhe e pyeste vazhdimisht babanë për çdo detaj që shihte kudo në çdo fshat, dhe shtëpi që strehoheshin.

Por gjatë kësaj kohe që strehoheshin nëpër Shqipëri, trupat gjermane ranë në gjurmë të 30 infermiereve amerikane. I ndiqnin kudo, frika e partizanëve kjo ishte, që aleatët mos të kapeshin. Çdo detaj i këtij rrëfimi, çfarë hanin, ku flinin, si i gjenin veshmbathje, tregohet fare mirë në ditarin që ka mbajtur togerja, Agnes Jensen. Më shumë gjatë këtij, misioni babai pati miqësi me pilotin. Ai i rrëfente se si avioni me 30 amerikanë, ra në Belsh, si pasojë e një zbritjeje të detyruar.

Ishte i vështirë ky mision, Shqipëria ishte shumë e varfër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shpesh herë banorët i jepnin vetëm bukë misri me qepë, nuk kishin, ose i jepnin arra, apo zahire që kishin vënë për dimër. E vështirë ishte dhe strehimin, kërkonin të qëndronin grup, kishin frikë të ndaheshin. Amerikanet ishin të habitur edhe me zemrën e mire që kishin shqiptarët, edhe pse shumë të varfër, i jepnin gjithçka kishin.

Historia e Qani Siqeces, që amerikanët e pagëzuan Xhoni!

Babai edhe pse ishte një i ri 23-vjeçar, nuk u tërhoq nga misioni, i shoqëroi për gati dy muaj, nga Berati deri në Karaburun, aty ku i priste anija për në Bari. Amerikanët iu lutën që të shkonte me ta, por babi nuk u largua, nuk e braktisi familjen e tij në Shqipëri. Ishin familje e pasur, nuk u largua pasi donte të gëzonte edhe atë që i kishte trashëguar gjyshi.

Pas lufte, babai u zhvendos në Patos, punonte si agronom në fermë. Nuk foli më për këtë histori, jashtë shtëpisë, kishte frikë. Kishte dëgjuar asokohe se Kostaq Stefa, u pushkatua. Stefa ishte bashkë me babanë në këtë mision, por fatmirësisht im atë nuk pati fatin e tij. Pas viteve ’90, amerikanët erdhën në Shqipëri, e kërkuan babanë tonë në Kurjan, aty ku ishte partizan. E kërkuan edhe në Patos, po banorët i thanë nuk njohim askënd me emrin Xhoni. Kjo që ngatërresa, emri. Kur e mori vesh babai që kishin ardhur amerikanët, shkoi në Ambasadë, ata i kthyen përgjigje, u gëzuan që ai i kishte gjetur. E vetmja kërkesë që kishte babai ishte; më ndihmoni fëmijët, m’i merrni në Amerikë. Kërkesa që kishin amerikanët, ishte që babai të shkonte në Amerikë, për një intervistë, por nuk ia doli, u sëmur dhe ndërroi jetë.

Historia e Qani Siqeces, që amerikanët e pagëzuan Xhoni!Historia e Qani Siqeces, që amerikanët e pagëzuan Xhoni!

Unë ende dhe sot e ruaj një kartolinë, me 10 emra, të secilit prej amerikanëve që firmosën poshtë shprehjes: “Ne nuk do ta harrojmë kurrë ndihmën që na keni dhënë”.

Kartolina është me pamjen nga Shqipëria në kohën e luftës. E ndjej veten shumë krenar për babanë tim, që ka bërë një vepër kaq të madhe, që ka qenë një hero. Përveç falënderimit, babai nuk mori asgjë tjetër nga Amerika. Asnjë dekoratë. Të vetmen dhuratë që mori babai ishte një fotografi me pilotin, asgjë tjetër.”-tregon djali i Qani Siqecës, ose ndryshe Xhonit 23-vjeçar, siç e njohën amerikanët./M.K-dritare.net