Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit rrëzuar në Belsh!

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

Hasan Gina është shqiptari që i dha ndihmën e parë amerikanëve të avionit rrëzuar në Belsh.

Faktet janë aty, por duhet vullnet që të pastrohet “pluhuri” që i ka mbuluar për më shumë se 80 vite. Dritare Tv në 80-vjetorin e Çlirimit risolli në vëmendje historinë e çupkave amerikane, duke mbledhur një për një gjitha dëshmitë që na krenojnë.

“Në besë të shqiptarëve”, është dokumentari me një peshë të madhe historike, që tregon një “top story” të Luftës së Dytë Botëror.

Sot do të ndajmë me ju historinë e partizanit Gina, copëza të ditarit të tij ku rrëfen takimin me 30 amerikanët, si ia tregoi 20 vite më vonë misionin fëmijëve të tij, Akilit, Donikës dhe me rrallë.

Ditari

“Gjatë zbritjes së aeroplanit unë pashë me dylbitë e mia se aeroplani nuk ishte armik sepse ishte me yll të bardhë dhe mora iniciativën me guxim e u thashë shokëve:

"Mos qëlloni se ishte aeroplan amerikan".

Duke e dalluar nga ylli i bardh, dyshimin se do të ishte aeroplan armik e hoqa dhe u drejtova tek aeroplani. Pashë se nga ekuipazhi nuk kishte zbritur njeri, por rrinin brenda dhe shikonin nga dritaret se ç’po bënim ne. Unë në këtë moment zbrita nga kali në toke dhe ua bëra me shenje:

“Ejani këtu në buzë të gjolit", që ishte me ujë deri në gju.

Mbasi dolëm nga aeroplani dhe u takuan përzemërsisht me mua, dhashë urdhër që të dy pilotët të dilnin jashtë nga aeroplani, me gjithë plaçkat e tyre. Piloti që drejtonte aeroplanin me emrin Geri, më ftoi të shkoja brenda në aeroplan.

Zbrita shkallët dhe u futa brenda.

E pashë me vëmendje, mbasi s'kisha parë ndonjëherë dhe as hipur në të. Kështu ndenja pak sa u çmontua radioja transmetuese dhe e morëm atë duke e ngarkuar në një mushkë. Mbasi i hoqëm të gjitha materialet ato shtetërore dhe vetjake dhe kur u boshatis mirë, vendosëm ta djegim, të mos e diktonin gjermanët dhe të kuptonin mos ishte bërë ndonjë zbarkim dhe si pasojë, do të vinin, do të digjnin e vrisnin popullin e fshatrave përreth.

Së bashku me dy oficeret aviatorë i vumë zjarrin aeroplanit dhe pamë se u dogj mirë e mirë. U nisem për në shtabin e grupit ku ndodhej dhe Kahreman Ylli, i cili ishte ngarkuar për organizimin e Grupit të Myzeqesë. Unë i çova dhe e prezantova me shokun Kahreman Ylli.

Kahremani më dha urdhër që me disa shokë partizanë t’i shoqëroja për në Berat, i cili atëherë ishte çliruar nga okupatori. U nisëm, ata ishin 30 vetë, ne ishim vetëm 7, por porosia e shokut Kahreman, t’i dorëzonim në Shtab pa i ndodhur gjë rrugës. Më pas ne u larguam për në batalionin tonë“.

(Komandanti Hasan vazhdon ditarin e tij .....)

Takimi i dytë me amerikanët

“Bënte shumë ftohtë, ishte operacioni i dimrit. Kur arritëm në fshatin Voskop aty gjetëm Misionin Ushtarak Anglez që kishte ardhur për të ndihmuar Lëvizjen Çlirimtare kundër forcave Fashite-Gjermane që kishin okupuar vendin tonë, Ballkanin dhe gjithë Evropën.

Aty pamë dhe grupin e ushtarëve amerikanë që ne u shpëtuam jetën, kur ranë me avionin e tyre në fshatin Seferaj në Dumre. Këta, kur na panë u gëzuan shumë, na takuan dhe na përshëndetën me shumë dashuri e respekt. Amerikanët kishin urdhër të shkonin në zonën e Gjirokastrës, pranë qarkorit dhe Shtabit Operativ Vlorë-Gjirokastër.

Mua më thërret shoku Mane Nishova:

"Nga Shtabi të ngarkohet si detyrë t’i shoqërosh amerikanët deri në Poliçan të Gjirokastrës dhe të kthehesh prapë në Skrapar pranë Shtabit të Qarkut”.

Detyra që mu ngarkua ishte e vështirë por jo e pamundur. Jeta e tyre ishte në duart tona.

U nisem për në Përmet. Qëndruam një drekë aty, na priten mirë dhe amerikanët u ndien mirë, ndjehej besim. Bëmë një pushim të vogël se togerja Ana Xhens dhe disa shoqe të saja ishin sëmurë. Falë medikamenteve që kishim me vete dhe pak çaj mali që ua sollën gratë e fshatit, gjendja e tyre u përmirësua. Kufi me Straveckën e Skraparit, i thirra shokët e grupit dhe oficerin Thrasheri, duke ndarë disa detyra se terreni po bëhej më i vështirë. Të gjitha rrugët ishin të zëna. Të gjithë së bashku vendosëm që do te kalonim lumin Devoll.

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

Duke u errësuar, të lidhur dorë pas dore njëri me tjetrin në ato ditë të ftohta të fundit të nëntorit e fillim dhjetori, kaluam shëndoshë e mirë të gjithë. Për çdo veprim që do të merrnin shokët e mi, me drejtoheshin mua.

Unë isha i detyruar tu përktheja disa fjalë dhe amerikanëve, megjithëse kisha kohë që kisha mbaruar shkollën. Amerikanët u priten në të gjithë shtëpitë e fshatit, ku nuk u kursyen të na shërbenin dhe të na ushqenin me çfarë tu ndodhej në shtëpi, por mikpritja la mbresa tek ata.

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

Pushuam pak, rreth nja një orë. Aty mora vesh për rëndësinë e madhe të këtij misioni, i cili kishte shqetësuar edhe vetë presidentin Rusvelt. Kërkuam leje të largoheshim dhe na takuan të gjithë me shume respekt. Togerja Agnes Jensen nxori një stilolaps nga xhepi i xhaketës, ma zgjati duke më thënë:

"Merre në shenjë respekti, që t’i shkruash këto ditë të vështira lufte që kalove me ne komandanti Hasan!".

Unë iu përgjigja:

"Ato do të jenë gjithmonë të gjalla në mendjen dhe zemrën time”.

Misioni ynë përfundoi me sukses. Amerikanet pas shumë vuajtjesh dhe peripecish, u dorëzuan shëndoshë e mirë.

Djali i Hasanit, Akil Gina: “Në 8 nëntor 1943 avioni i forcave amerikane, i nisur nga Catania drejt Barit, ra në Belsh. Në këtë avion ishin 13 infermierë dhe 13 infermiere dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Roli i tyre ishte të ndihmonin dhe mjekonin ushtarët e plagosur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Babai im në 8 nëntor ishte në fshatin Seferaj, fshat diku mes Belshit dhe Lushnjës. Në këtë zonë partizanët furnizoheshin me armë, dhe organizoheshin për të kryer detyrën. Babai ishte i pari që vuri re se avioni ku ndodheshin amerikanët ishte i dëmtuar, ndaj dhe bëri ulje të detyruar në liqenin e Cestijes në Belsh. Në këto momente babai bashkë me grupin e partizanëve që drejtonte e rrethonte avionin, në 3 drejtime, duke vendosur nga një mitraloz, dhe pritën derisa të shihnin lëvizjet që do të bënin anëtarët që ndodheshin brenda. Por në momentin që avioni bëri ulje, një pjesë e grupit doli jashtë për të parë se ku ndodheshin, në këtë moment babai me kalin e tij të bardhë i afrohet. Babai me dylbi pa mbi avion yllin e bardhë, dhe e kuptoi se kishte të bënte me trupa amerikanë jo gjermanë. Babai i shkon me kalë të bardhë dhe i thërret: “Amerikano, o amerikano. Jeni në Shqipëri”, pasi pyetja e parë që i bënë 30 infermierët amerikanë ishte se ku ndodheshin.

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

Amerikanët nuk kishin absolutisht asnjë armë, përveç se një automatik që përdorej gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Babai i shpjegoi se në atë moment nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër përveç se të ndiqnin udhëzimet e partizanëve shqiptarë për të vendosur më vonë se si do vepronin. Një nga anëtarët e ekuipazhit ishte i dëmtuar rëndë, dhe e morën mbi kalë. Avionit, babai ia vuri zjarrin që gjermanët mos të binin në gjurmë të amerikanëve.

U larguan drejt fshatit Seferajt, në këtë kohë babai dërgon lajm tek shtabi i Qarkut, se çfarë kishte ndodhur. 30 infermierët amerikanët i strehojnë në një shtëpi dykatëshe, në familjen Zena në fshatin Merkoj. Të nesërmen vjen Kahraman Ylli, i cili i jep urdhër babait që t’i shoqërojë amerikanët drejt qytetit të Beratit. Fjetën në shtëpitë e fshatarëve gjatë këtyre ditëve të udhëtimi, populli ynë hapi dyert dhe ndau dhe atë pak gjë që kishte. Në këtë kohë ishte dhënë lajmi në Berat, aty ishte Gjin Marku, Komandant Shtabi që i priste. Në Berat kishin dalë të gjithë për t’i pritur, mendonin se ishte ushtria amerikane. Grupi qëndroi atë natë në hotel Colombo, një hotel 3 katësh, ku i priste Gjin Marku dhe Kostaq Stefa. Shtabi Partizan bashkë me Stefën, grupin e shpërndau nëpër familjet e qytetit, për t’i ushqyer dhe çlodhur, pasi ishin lodhur gjatë këtyre 5 ditëve të para. Babai pasi i dorëzoi u nda me amerikanët, rrugës vuri re se trupat gjermane po shkonin për të sulmuar Beratin. Ashtu ndodhi, Berati u sulmua pas pasi grupi i amerikanëve u evakuua dhe iku drejt Malit të Tomorrit.

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

Takimi i dytë me amerikanët, babai e ka pasur në fshatin Voskop. Aty ishte misioni anglez. Amerikanët ishin shumë të kënaqur që u takuan sërish, aty i tregojnë se në Berat kishin ngelur 3 infermiere të grupit. Pasi kalojnë natën aty, babai mori sërish detyrën për t’i shoqëruar infermierët amerikanët deri në Zagoricë, ku ishte misioni tjetër anglez. Babai dhe grupi nisen drejt fshatit Sheper dhe vazhduan duke ecur deri në lumin Osum.

Ishte udhëtim i vështirë, dimri 43’-44’ ishte shumë i egër. Kur mbërritën në fshatin Malind, që ishte bazë e luftës, vendosën të çlodheshin, duhet të grumbullonin dhe ushqim. Aty i pritën shumë mirë. Pas Malindit kaluan në fshatin Odriçan të Përmetit. Nuk kaluan brenda Përmetit pasi ishte totalisht i shkrumbuar por edhe sepse duhet t’i fshiheshin gjermanëve. Kaluan dhe malin Nemërçka, nëpër dëborë, por ia dolën pas shumë orësh ecje. Në fshatin Sheper ku ishte misioni anglez, misioni i babait mori fund. Aty detyra u plotësua, dhe babai ndahet me amerikanët. Amerikanët ishin shumë të lodhur, nuk kishin rroba të përshtatshme as për luftë, por megjithatë ia dolën. Ishte fat që amerikanët ranë në duart e partizanëve, ata i shpëtuan jetën.

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

Pasi lufta mori fund, e kam pyetur disa herë babanë, pse u la në heshtje kjo histori shpëtimi. Ai e rrëfente për ne me shumë pasion, këtë mision që kishte pasur. Edhe nga pala amerikane u la në heshtje kjo histori, me frikën se do t’i ndodhte diçka familjeve shqiptare që ndihmuan të 30-të. Kjo ishte një ngjarje që ne na nderon si popull. As babai ynë nuk na la amanet mbi këtë histori, as ai vetë nuk e mendonte se ne do të ritakoheshim me ata amerikanë që ai i shpëtoi jetën”.

Donika Gina: “Në vitin 2013 me ftesë të Ambasadës Amerikane na u dha e drejta për të marrë pjesë në eventin ku përkujtohej, shpëtimi i 30 infermiereve amerikanë në Shqipëri.

Aty u takuam dhe me shkrimtaren Cate Lineberry që ka shkruar librin, The Secret Rescue, në 2014-ën. Cate më la këtë autograf: “Babai juaj ishte një njeri i madh, një hero i vërtetë”.

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

Po ashtu edhe oficeri i vetmi i mbijetuar që takuam ne, më la një tjetër autograf: “Hasan Gina ishte një njeri special. Ai ishte njeriu i parë që takova në Shqipëri”.

Aty kuptuam se grupi kishte mbajtur shënime për gjatë gjithë qëndrimit në Shqipëri. Në rrëfimet kuptohet se si babai dhe gjithë shqiptarët i kanë mbrojtur me jetë. Babai na i rrëfente herë pas here këtë histori për ne që kishim kuriozitet.

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

“Më shumë nuk haja se sa haja, më shumë nuk kam fjetur se kam bërë gjumë. Ato ishin në ndihmë të Luftës së Dytë Botërore”, kështu na i përmblidhte babai historinë e infermierëve amerikanë.

I shoqëroi në pjesën më të madhe të kësaj aventure. Agnes Jensen, në ditarin e saj rrëfen: “Hasani ishte një njeri shumë i mirë, shpeshherë na mblidhte dhe na pyeste. Më pas vendoste, sepse ishte ai që njihte terrenin dhe gjithçka”.

Kur babai ishte në ndihmë të amerikanëve, iu vra i ati, Dervish Gina. Gjyshin e torturuan, e lidhën me litar në mes të fshatit Kadipashaj, forcat gjermano-balliste. Nga dhuna që iu bë, ai ndërroi jetë një javë më vonë, në moshën 63-vjeçare. Gjyshi u shpall dëshmor i Atdheut mbas ardhjes se demokracisë.

Hasan Gina, historia e njeriut që shpëtoi amerikanët e avionit

Përherë babai na jepte porosi: “Ruajeni tokën tuaj, çdo pëllëmbë, është Shqipëri”. Na rriti me dashurinë për Atdheun, njerëzit, nuk u lodh kurrë duke ndihmuar të tjerët. Ishte një njeri mbarë popullor, e donin të gjithë. E ruante dhe respektonte populli.

Babai nuk përfaqëson në këtë histori vetëm veten e tij, por gjithë popullin shqiptar. Kjo histori duhet të nderohet nga të gjithë”./M.K-dritare.net