
Historia e Shpresa Fugës, partizanes që mbrojti infermieret amerikane!
Dritare.net

Shpresa (Hoxha) Fuga, është partizania e parë që shoqëroi 30 infermierët amerikanë në vitin 1943, kur avioni i tyre ra në liqenin e Çestijes, Belsh. Ishte shefi i Komitetit Qarkor, Kahraman Ylli i cili i ngarkoi këtë detyrë të rëndësishme një vajze të re rreth të njëzetave që t’i mbronte me jetën e saj, infermieret amerikane.
Shpresa nuk mbajti ditar për atë rrugëtim, por djali i saj Artan Fuga, kujton se nëna kur e tregoi këtë ngjarje shumë vite më pas, shprehej: “Ishin të brishta dhe të frikësuara gjatë momentit që i takova, por dhe ne të habitura qe me shikonin mua të veshur me rroba partizane dhe të armatosur.”
Përgjatë dokumentarit “Në besë të shqiptarëve”, flet djali i Shpresa Fugës, profesor Artan Fuga, i cili tregon:
“Nënën e ka thirrur Komiteti Qarkor, që asokohe drejtohej nga Kahreman Ylli dhe i thotë: “Duke qenë se ti merresh me gratë në zonën Skrapar-Lushnjë, duhet të shkosh në drejtim të Belshit pasi aty është ulur një avion me një grup infermierësh”.
Ai e ka urdhëruar t’i shoqërojë e mbrojë, duke i bërë të qartë se qe përgjegjëse për jetën e tyre. Nëna u nis me një grup partizanesh, për t’i sjellë ato në zonat e lira, në vjeshtën e vitit 1943, në qytetin e Beratit.

Nëna për herë të parë i takoi në Belsh. Në rrëfimet e saj, nëna më tregonte se infermieret ishin të ndrojtura, por me shumë kuriozitet për partizanët që takuan. Besoj një arsye që u zgjodh nëna në grupin e partizanëve që i shoqëroi ato ishte për t’u dhënë siguri grave inferimiere. Nëna nuk mbajti ditar, ndërsa babai mbajti. Ai ka lënë kujtimet e tij për ato vite, ku ka shkruar edhe për infermierët. Ai shkruan se infermieret kanë qëndruar bashkë, ndërsa piloti në një banesë tjetër. Në Berat janë takuar dhe me Gjin Markun, ku piloti ka shkëmbyer dhe orën me të.
Infermierët nga Berati janë drejtuar drejt zonës së Skraparit, Odriçanit, Përmetit deri në Voskop të Korçës. Babai im, Myqerem Fuga, vinte nga grupi komunist i Shkodrës. Në vitin 1940 ai vazhdonte studimet në Itali. I ndërpret studimet dhe në vitin 1942, kthehet në Shqipëri dhe i bashkohet Partisë Komuniste. Nëna përjashtohet nga shkolla “Nëna Mbretëreshë” në moshën 17-vjeçare, për qëndrime antifashiste, kthehet në shtëpinë e babait në Fier, por nuk gjen mbështetje. Bashkë me 60 vajza të Fierit bashkohen me partizanët. Si nëna dhe babai ma kanë treguar historinë e 30 infermierëve amerikanë.
Nëna rrëfente: “Ishin të brishta, të frikësuara por dhe ne ishim të habitura për to”.
Gjithë shqetësimi i pritësve ishin që 13 infermieret mos të prekeshin, mos të pësonin asgjë gjatë evakuimit nga Shqipëria. Nënës iu bë e qartë misioni politik, që këto infermiere të mbroheshin, të qetësoheshin psikologjikisht, që ishin në duar të sigurta. Frika e partizanëve dhe Qarkorit për 13 infermieret amerikane ishte që mos të binin në dorën e gjermanëve, të kapeshin rob apo të përdhunoheshin.
Ato do mbroheshin me jetë partizanësh. Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë, por i gjithë grupi ishte përgatitur t’i mbronte me jetën e tyre”.
Historia e Shpresa Fugës është historia e patreguar e grave partizane që iu bëri aq shumë përshtypje anglo-amerikanëve të cilët në kujtimet që shkruan pas luftës treguan habinë dhe admirimin për luftëtaret shqiptare, po aq trime sa burrat partizanë./M.K-dritare.net

















