
Harta e re elektorale për 2017-ën: Ja qarqet që u shtohen dhe u hiqen deputetë!
Dritare.net

Lëvizjet demografike brenda territorit shqiptar si dhe rritja natyrale e popullsisë do të përcaktojnë edhe ndarjen elektorale të re për zgjedhjet parlamentare të 2017. Bazuar në rezultatin e vitit 2013, pa patur parasysh koalicionet, apo ndryshimin e votës së shqiptarëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mësohet të ketë nisur përllogaritjen e ndarjes së re elektorale, duke i paraprirë përgatitjes së procesit elektoral.
Ajo që bie në sy, është një propozim për një rishpërndarje të mandateve, të cilat prekin një numër të kufizuar qarqesh. Berati i cili sipas rezultatit të 2013 përfaqësohet në Parlament me 8 deputetë, sipas propozimit të ri do ketë një deputet më pak pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Po kështu, sipas propozimit edhe Korçës i hiqet një mandat. Nga 12 deputetë, në Parlament do të jenë 11 të cilët do të përfaqësojnë këtë Qark. Gjithashtu është propozuar që edhe Kukësi të humbasë një mandat, nga 4 në 3 të tillë. Mandate të cilat propozohet të rishpërndahen në dy qarqet më të mëdha. Respektivisht Tirana fiton 2 mandate, duke bërë që numri i deputetëve në 2017 të rritet nga 32 në 34. Ndërkohë që dhe Durrësi përfiton një deputet më shumë.

















