Firmoset udhëzimi për organizimin e Komisonit Shtetëror të Artit të Hapësirat Publike
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar firmosjen e udhëzimit të ri për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike.

Sipas Gonxhes, udhëzimi synon të vendosë rregulla të qarta dhe standarde profesionale për mënyrën se si veprat artistike vendosen në hapësirat publike, duke i dhënë fund ndërhyrjeve të pakontrolluara dhe vendimmarrjeve pa kriter artistik, urbanistik apo arkitektonik.

Monumentet, memorialet, bustet, skulpturat, muralet dhe instalacionet artistike do t’i nënshtrohen një procesi të strukturuar shqyrtimi dhe vlerësimi nga Komisioni Shtetëror.

Sipas procedurës së re, kërkesa për vendosjen e një vepre paraqitet fillimisht pranë bashkisë përkatëse. Pas shqyrtimit paraprak, propozimi i përcillet ministrisë përgjegjëse për kulturën, ndërsa Komisioni vlerëson projektin në aspektin artistik, estetik, urbanistik dhe arkitektonik.

Pa miratimin e Komisionit, kërkesa për vendosjen e veprës në hapësirën publike nuk do të vijojë.
Rregullat do të zbatohen njësoj për veprat e financuara nga shteti, bashkitë, subjektet private, donatorët apo partneritetet publike-private.

Gonxhja theksoi se hapësirat publike janë pjesë e identitetit dhe kujtesës së qyteteve dhe se vendosja e veprave të artit duhet të bëhet përmes një procesi të koordinuar dhe profesional./L.F-dritare.net