Fermeri austriak nuk mbijeton i vetëm: Ja sekreti i suksesit në bujqësi!
Dritare.net

Kontroll i pavarur i qumështit, databaza që monitorojnë çdo kafshë, fermerë të trajnuar që në moshë të vogël dhe një sistem ku vendimet merren mbi bazën e të dhënave. Këto janë disa nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar modeli austriak i blegtorisë.
Dritare TV e pa nga afër këtë organizim në Qendrën Kombëtare të Mbarështimit të Gjedhit në Vjenë, ku ekspertët austriakë ndanë me gazetaren Rudina Xhunga përvojën e tyre dhe shpjeguan se si funksionon një nga modelet më të suksesshme të blegtorisë në Europë.
Sipas tyre, suksesi nuk lidhet vetëm me racat e lopëve, por me një sistem të integruar që mbështetet te edukimi i fermerëve, përdorimi i teknologjisë, analiza e të dhënave dhe kontrolli i pavarur i cilësisë. Në Austri funksionon një rrjet prej 45 organizatash kombëtare që mbështet rreth 20 mijë fermerë me analiza dhe të dhëna të vazhdueshme për menaxhimin e fermave.
Një nga shtyllat kryesore të këtij modeli është kontrolli i cilësisë së qumështit. Mostrat merren të paktën 11 herë në vit, pa paralajmërim dhe analizohen nga një institucion i pavarur shtetëror. Kjo shmang konfliktin e interesit, pasi fabrikat nuk kontrollojnë vetë produktin që blejnë, duke garantuar transparencë si për fermerin ashtu edhe për konsumatorin. Sistemi mbështetet financiarisht në masën 50% nga shteti.
Ekspertët ndaluan edhe te filozofia e mbarështimit të kafshëve. Ndryshe nga modelet që synojnë prodhim maksimal për pak vite, fermerët austriakë mbajnë lopët në prodhim për një periudhë shumë më të gjatë. Raca Simental (Fleckvieh), e përdorur gjerësisht në Austri, arrin prodhim jetësor mesatar mbi 33 mijë litra qumësht, ndërsa raste të veçanta kalojnë edhe 100 mijë litra. Kjo ul kostot e fermës dhe rrit fitimin afatgjatë.
Në qendër të këtij sistemi qëndron edhe teknologjia. Çdo kafshë monitorohet përmes databazave dhe aplikacioneve digjitale që mbledhin vazhdimisht të dhëna mbi shëndetin, prodhimin dhe karakteristikat gjenetike. Mbi bazën e dhjetëra treguesve, fermerët zgjedhin materialin biologjik më të përshtatshëm dhe marrin vendime të bazuara në shkencë.
Megjithatë, sipas ekspertëve, edhe gjenetika më e mirë nuk mjafton pa fermerë të përgatitur. Ata theksuan se importi i kafshëve me potencial të lartë nuk jep rezultat nëse mungojnë menaxhimi profesional, ushqyerja e duhur dhe infrastruktura veterinare.
Për këtë arsye, në Austri investohet te edukimi që në moshë të hershme. Fëmijët njihen me blegtorinë që nga mosha trevjeçare përmes programeve të posaçme, ndërsa të rinjtë dhe fermerët trajnohen vazhdimisht. Sot, rreth 60% e inseminimeve artificiale kryhen nga vetë fermerët e trajnuar.
I gjithë ky sistem përmbyllet me besimin e konsumatorit. Certifikimi AMA Gütesiegel njihet dhe besohet nga 95% e popullsisë austriake, duke garantuar origjinën, cilësinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve vendase.
Mesazhi i ekspertëve ishte se zhvillimi i blegtorisë nuk nis me importin e racave të reja, por me ndërtimin e një sistemi që investon te fermeri, edukimi, teknologjia, kontrolli i pavarur dhe besimi i konsumatorit./dritare.net