Fëmija juaj nuk dëshiron të kthehet në shkollë? Mos i bërtisni, ja çfarë duhet të bëni!
Dritare.net

Me afrimin e fillimit të vitit të ri shkollor, shumë fëmijë mund të shfaqin ankth ose të refuzojnë të kthehen në klasë. Ekspertët thonë se ky është një problem gjithnjë e më i përhapur dhe nuk duhet trajtuar si dembelizëm apo kokëfortësi.
Një nga shkaqet mund të jetë koha e tepërt që fëmijët kalojnë para telefonit, kompjuterit ose videolojërave gjatë pushimeve. Pas një vere të mbushur me argëtim të vazhdueshëm, zgjimi herët dhe rikthimi te mësimet mund të bëhen të vështira.
Prindërit këshillohen ta zvogëlojnë gradualisht kohën para ekranit, disa ditë përpara nisjes së shkollës. Fëmijët duhet gjithashtu të rikthehen në një orar të rregullt gjumi dhe të mos e mbajnë telefonin në dhomën e gjumit gjatë natës.
Një rol të rëndësishëm luajnë edhe marrëdhëniet që fëmija ka me shokët dhe mësuesit. Aktivitetet jashtëshkollore, koha me miqtë dhe komunikimi me stafin e shkollës mund ta ndihmojnë të ndihet më i sigurt dhe i përfshirë.
Nëse fëmija nuk dëshiron të ngrihet në mëngjes, ekspertët këshillojnë që prindërit të mos i bërtasin dhe të mos e ndëshkojnë. Në vend të kësaj, duhet ta dëgjojnë, t’i tregojnë se e kuptojnë dhe ta ndihmojnë ta përballojë ankthin.
Refuzimi i vazhdueshëm për të shkuar në shkollë mund të lidhet me ankthin, depresionin, bullizmin ose vështirësi në të nxënë. Në këto raste, prindërit duhet të bisedojnë me mësuesit dhe psikologun e shkollës, si dhe të kërkojnë ndihmën e një profesionisti të shëndetit mendor.
Mesazhi kryesor për prindërit është që të ruajnë qetësinë dhe t’i marrin seriozisht shqetësimet e fëmijës. Ai ka më shumë nevojë për dëgjim, mirëkuptim dhe mbështetje sesa për presion apo kritika./CNN