
Ekskluzive: Historia e Inës, romes së mrekullueshme
Dritare.net

Ina Majkon e takova tek Piazza. Aty na ra rruga së bashku. Para meje, një vajzë të shkathët dhe e gojës. E veshur thjesht dhe bukur. Me flokët e mbledhur pas. Porosit një kamomil. Tregon që e ka qejf dhe e qetëson. Është shumë e zgjuar Ina. Duket që nga mënyra sesi artikulon. Ka qënë studente shumë e mire me mësime. Është 23 vjeç dhe ka mbaruar studimet në degën Biologji në fakultetin e Shkencave të Natyrës. Është vajza e vogël e familjes, pas dy motrave më të mëdha. Prindërit e Inës janë mësues. Ina është rome dhe sot në ditën Ndërkombëtare të Romëve, Ina do të ndajë me dritare.net, historinë e jetës së saj.
dritare.net- Ina, sot është dita ndërkombëtare e romëve. Si është të jesh një rome?
-Ne jemi një komunitet që kemi një gjuhë, flamur dhe himnin tonë. Festojmë festat tona.
dritare.net- Cfarë simbolizon 8 prilli për ty?
- Është një ditë proteste. Ku romët mbrojnë të drejtat e tyre dhe ngrenë zërin kundër diskriminimit. Në vitin 1971 është bërë një mbledhje, ku janë vendosur të drejtat e romëve.
dritare.net- Ti ndihesh e diskriminuar?
-Sigurisht, janë tre etapa të jetës sime në fëmijëri, gjimnaz dhe në fakultet.
Në fëmijërinë e hershme fare, nuk e kam ndierë aq shumë racizmin, pasi kam qënë e vogël dhe nuk mbaj mend. Por në kopësht jam diskriminuar. Fjalët , arixhi, jevg të vrasin.
Shpesh i kam bërë pyetje vetes. Jam ndryshe nga të tjerët, apo ata më shohin ndryshe? Shoqet edhe pse ma thoshin pa të keq, më vriste fakti që më quanin të zezë.
Nuk të puthim ty se na bën me të zi, më thoshin shpesh me të qeshur.
Por me kalimin e kohës u bëra e vetëdijëshme që isha rome. Unë shihesha ndryshe nga të tjerët, sepse isha ndryshe nga të tjerët.
Pastaj vjen periudha e gjimnazit, më e tmerrshmja për mua, aq sa s’dua ta kujtoj. Kam pasur gjëra si çdo i ri. S’më pëlqente vetja. Por akoma më shumë, kur më thoshin në fytyrë: Ti je me ngjyrë. Në vit të parë, jeta m’u bë ferr. Jo cdo njeri është i keq, por pa dashur më diskriminonin. Njëherë ishim ulur në kafe dhe shoqja ime tha : Kushedi kush do ketë pirë para meje në këtë filxhan, ndonjë jevg.
Unë nuk mund të kisha një të dashur si gjithë shoqet e mija, sepse më paragjykonin për origjinën dhe ngjyrën e lëkurës. Sidomos tek pjesa e të martuarit me një njeri pa ngjyrë.
Kur erdha në fakultet gjithçka ndryshoi. Unë kam qënë nxënëse, por edhe studente shumë e mirë. Duke qënë se isha me mesatare 9.8 u futa duke konkurruar në shkollë dhe jo nga kuotat rome. Sigurisht që më kanë diskriminuar në fillim por pasi panë që unë isha studente e mirë filluan të krijojnë miqësi me mua. Të më mbajnë afër. Kuptohet për interes. (qesh)
dritare.net- Si të shohin njerëzit në rrugë, tani?
-Kur jam në rrugë më shohin si të huaj. Edhe kur blej bukë më thonë me habi: Ua je e huaj dhe flet kaq mirë shqipen. Unë ju dukem e huaj, sepse kanë më të thjeshtë në kokën e tyre të pranojnë që jam e huaj sesa që jam rome. Shqiptarët janë pak ksenofobë.
dritare.net - Pasi ke mbaruar studimet, a ke gjetur një punë?
Jam në punë aktualisht. Jam koordinatore tek “Roma active Albania”. Projekt i bashkëfinancuar nga BE, nëpërmjet programit Erasmus Plus, që është kundër antigypsysim. Antigypsysim është sjellja e ftohtë, paragjykim, diskriminim dhe racizmi direkt i romëve si një grup etnik, ose njerëz që njihet që kanë prejardhje rome. Të rinjtë nga 11 shtete të BE-së do të punojnë në terren duke bërë një fushatë që lufton antigypsysmin.
dritare.net- A ka pasur raste kur je diskriminuar dhe nuk të kanë ofruar punë, sepse je rome?
-Jo kam ndjerë një tjetër lloj diskriminimi. Pavarësisht cfarë di e bëj, më kanë ofruar punë, vetëm se jam rome. Unë kam punuar në një shoqatë ku përfaqësoja komunitetin rom edhe aty më morën thjesht, sepse kjo ishte kërkesë e donatorëve. Pra duhej dikush që ishte nga komuniteti rom. Askush nuk merrte mendimin tim, prandaj e lashë punën sepse mua më donin thjesht si dekorim dhe jo si dikush që punon edhe shfaq talentin e vet.
Mua personalisht nuk më ka rastisur, por miqve të mij që nuk u japin punë si kamarier apo shitëse, sepse edhe kur pronari nuk është diskriminues, gjë që shumë rrallë, është klienti diskriminues.
dritare. net- Cfarë natyre je Ina?
Unë jam natyrë e mbyllur, që i njoh kufijtë e vetes. Jo se nuk kam pasur liri. Liri më kanë dhënë prindërit. Por kjo është zgjedhja ime.
dritare.net- Cfarë të pëlqen të bësh në kohën e lirë?
- Më pëlqejnë librat. Lexoj libra pafund . Më pëlqen të bëj hiking. Meqënëse kam studiuar biologji e kam shumë qejf natyrën.
dritare.net- Cfarë muzike dëgjon?
-Më pëlqen të dëgjoj muzikë të mirë.
dritare.net- Cila është muzikë e mirë sipas teje?
-Muzikë e mirë për mua është ajo e John Lenon, Michael Jackson. Janë përgjithësisht këngë që transmetojnë një mesazh. Më pëlqen muzika rock.
dritare.net- Po muzika tallava?
-Nuk e pëlqej muzikën tallava. Ajo është një muzikë e cila përdoret nga romët si një mjet për të fituar të ardhura. Ne dimë ta bëjmë dhe shumë mirë që dimë.
dritare.net- Cilat janë pasionet dhe dëshirat e tua?
-Unë kam marrë pjesë edhe në aktrim. Kam qënë në dy projekte të regjizorit Leonard Bombaj, tek “Fresk Fare” dhe tek “Ne”. Aty jam ndierë e diskriminuar, pasi skenografi tha dikur; Unë nuk do të vesh një vajzë rome.
Nuk e kuptoj. Është e tmerrshme të të diskriminojnë dhe artistët të cilët duhet të jenë pjesa më mëndjehapur e shoqërisë. Sigurisht roli që unë luajta ishte ai i një vajze rome që kërkon të bëhet pjesë e shoqërisë.
dritare.net Do të doja të të të thosha dicka të bukur, në fund të kësaj interviste. Më pëlqeu shumë të flas me ty.
-Oh, faleminderit! E dëgjon, “Heal the ëorld” e Michel Jackson . Sa e cuditshme, që e dëgjoj tani. Në këtë këngë, ai thotë: “Shëroje botën, bëje një vend më të bukur për ty dhe për të gjithë njerëzit. Pusho së ekzistuari dhe fillo jeto!/dritare.net

















