Na ndiqni edhe në

Editorial

Çfarë i intereson ambasadores Kim në zgjedhjet e marsit!

Çfarë i intereson ambasadores Kim në zgjedhjet e marsit!

Nga Dritan Hila

Jemi ende pa filluar fushata elektorale, mirëpo motorët janë ndezur.

Nisur nga gjendja e opozitës, pak presin ndryshime në hartë. Më e rëndësishme sesa për pushtetin lokal këto janë të rëndësishme për opozitën që të përcaktojë raportin e forcave brenda saj. Megjithatë edhe kjo do të jetë rishtas e vështirë pasi kandidatët e Berishës mesa duket do të dalin bashkë me ata të LSI. Dhe në këtë rast nuk do të dihet sa është mielli dhe sa krundja.

Megjithatë edhe ky rezultat një përfundim do ta nxjerrë dhe ky është se cila është pesha e aleancës Berisha-Meta në elektorat. Dhe kjo për t’i treguar SHBA se cila është pesha e tyre dhe nëse kjo është e mjaftueshme për të destabilizuar vendin. Ky rezultat është jetik për tandemin pasi pas Berishës edhe Meta është në pritje të një mandate (jo mandati).

Vetëm se ka një problem në përllogaritjen e peshës elektorale. Ka lidhje me fushëpamjen që ka SHBA për Shqipërinë. Dhe për amerikanet ka rëndësi sa marrin socialistët dhe fraksioni pro-amerikan i Bashës në PD. Dhe meqenëse këta marrin më shumë se 50%, ata do ta bëjnë gjumin e qetë.

Problemi mbetet gjithmonë i fraksionit Berisha-Meta. Këto janë zgjedhjet e provës. Që gjithsesi nuk do ta destabilizojnë vendin. Shqipëria nuk është malet e Bosnjës ku mund të fshihet Dodiku dhe shqiptarët nuk janë serbët e fandaksur të Republikës Serbska që bëjnë akoma luftë me mullinjtë e erës./dritare.net