Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dritare TV në Vjenë: Brenda modelit austriak të fermave moderne të gjedhit

VJENË, AUSTRI – Dritare TV ishte në Qendrën Austriake të Mbarështimit të Gjedhit (RINDERZUCHT AUSTRIA) në Vjenë, ku ndoqi një prezantim të detajuar nga Lukas Kalcher, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun, mbi mënyrën se si funksionon një nga sistemet më të avancuara të blegtorisë në Evropë.

Gjatë prezantimit, Kalcher shpjegoi se suksesi i blegtorisë austriake nuk lidhet vetëm me prodhimin e qumështit dhe mishit, por mbi të gjitha me organizimin, kontrollin e vazhdueshëm, përzgjedhjen gjenetike, mirëqenien e kafshëve dhe mbështetjen që shteti u ofron fermerëve. Modeli austriak bazohet në ferma familjare, ku tradita kombinohet me teknologjinë dhe kërkimin shkencor.

Një nga elementët kryesorë të sistemit është organizimi i RINDERZUCHT AUSTRIA, organizatë që bashkon shoqatat e mbarështimit, qendrat e ankandeve të gjedhit, organizatat e regjistrimit të të dhënave dhe kompaninë genetiX Austria, e krijuar për zhvillimin dhe eksportin e materialit gjenetik. Të gjitha këto institucione punojnë të koordinuara për të garantuar përmirësimin e vazhdueshëm të racave dhe cilësinë e prodhimit.

Kalcher shpjegoi se zemra e sistemit është databaza qendrore RDV, ku regjistrohen të gjitha informacionet për çdo kafshë. Në këtë platformë ruhen të dhënat mbi origjinën, testet e performancës, inseminimet, analizat gjenetike, lëvizjet e kafshëve, kontrollet veterinare, rezultatet e therjeve, shitjet në treg dhe ankande, si edhe të dhëna nga sensorët modernë të fermave. Ky sistem u mundëson fermerëve dhe ekspertëve të ndjekin në kohë reale zhvillimin e çdo kafshe dhe të marrin vendime të bazuara në të dhëna shkencore.

Një rëndësi të veçantë i kushtohet edhe kontrollit të transportit të kafshëve. Sipas të dhënave të prezantuara, në Austri kontrollohen çdo vit rreth 50 mijë transporte gjedhësh, ndërsa vetëm 1.1 për qind rezultojnë me mangësi dhe vetëm 0.05 për qind evidentohen raste të vuajtjes së kafshëve, çka tregon standardet e larta të mirëqenies së tyre.

Modeli austriak mbështetet kryesisht te fermat familjare. Aktualisht në Austri funksionojnë 50.401 ferma me gjedh, me një total prej 1.82 milionë krerësh. Mesatarisht çdo fermë ka 36 krerë, ndërsa vendi numëron mbi 538 mijë lopë qumështore. Mbi 80 për qind e tyre monitorohen vazhdimisht për performancën e prodhimit, duke garantuar përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë.

Një tjetër karakteristikë e rëndësishme është ushqimi natyror. Gati 47 për qind e sipërfaqes bujqësore të Austrisë përbëhet nga kullota, ndërsa mijëra ferma shfrytëzojnë kullotat alpine gjatë sezonit veror. Kjo mënyrë mbarështimi konsiderohet një nga faktorët kryesorë që ndikon në cilësinë e qumështit dhe mishit, duke ruajtur njëkohësisht biodiversitetin dhe mjedisin.

Kalcher theksoi se Austria investon prej dekadash në përmirësimin gjenetik të racave të gjedhit. Përzgjedhja nuk bazohet vetëm te sasia e qumështit, por edhe te jetëgjatësia e kafshëve, fertiliteti, shëndeti, lehtësia e pjelljes, cilësia e mishit, rezistenca ndaj sëmundjeve dhe sjellja gjatë mjeljes. Për këtë qëllim Austria bashkëpunon me institucione shkencore në Gjermani dhe Republikën Çeke për vlerësimin e përbashkët gjenetik të racave.

Sipas të dhënave të prezantuara, një lopë në Austri prodhon mesatarisht 8.188 kilogramë qumësht gjatë një laktacioni standard prej 305 ditësh, rezultat që arrihet falë kombinimit të përzgjedhjes gjenetike, ushqimit cilësor dhe menaxhimit profesional të fermave.

Siguria ushqimore është një tjetër shtyllë e sistemit. Çdo mostër qumështi analizohet për praninë e antibiotikëve, numrin e baktereve, qelizat somatike, përmbajtjen e yndyrës, proteinave, laktozës, ureas, pikën e ngrirjes dhe tregues të tjerë të cilësisë. Vetëm produktet që plotësojnë standardet mund të dalin në treg.

Përveç prodhimit, Austria investon fuqishëm edhe në edukimin e fermerëve. Përmes Cattle Breeders Academy organizohen trajnime mbi shëndetin e thundrave, metabolizmin, ushqimin e kafshëve, menaxhimin e fermës, prodhimin e silazhit, mirëqenien e viçave dhe kujdesin për kafshët e porsalindura. Trajnimet zhvillohen në formën e seminareve online, kurseve praktike, punëtorive dhe konsultimeve si brenda ashtu edhe jashtë Austrisë.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua edhe mbështetjes financiare që shteti austriak ofron për blegtorinë. Programet publike financojnë ndërtimin e stallave moderne, programet e cilësisë, shërbimet veterinare, sigurimet për bagëtinë dhe projekte që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të fermave përmes përdorimit të teknologjisë dhe analizës së të dhënave.

Kalcher prezantoi gjithashtu edhe aktivitetin ndërkombëtar të Austrisë në eksportin e materialit gjenetik dhe të gjedhit të racës. Në vitin 2025 Austria eksportoi mbi 20 mijë krerë gjedhë race në vende të ndryshme të botës, ndërsa eksporton edhe qindra mijëra doza të materialit për inseminim artificial, duke e bërë vendin një nga furnizuesit më të rëndësishëm në Evropë.

Në përfundim të prezantimit, Lukas Kalcher theksoi se e ardhmja e blegtorisë nuk qëndron te fermat gjigante, por te kombinimi i traditës familjare me shkencën, teknologjinë, mirëqenien e kafshëve dhe mbrojtjen e mjedisit. Sipas tij, pikërisht ky model e ka bërë Austrinë një nga vendet me standardet më të larta në prodhimin e qumështit dhe mishit në Evropë.

Dritare TV ndoqi nga afër këtë prezantim në Qendrën Austriake të Mbarështimit të Gjedhit në Vjenë, duke sjellë për publikun shqiptar një model që tregon se investimi në dije, teknologji dhe organizim është çelësi i suksesit në zhvillimin e blegtorisë moderne.