Diana Pushi: Boll vrapove gjithë jetën pas suksesit! Nëse je afër 40, duhet t'i dëgjosh këto këshilla
Dritare.net

Për 26 vite ka jetuar në Toronto dhe ka qenë një ekonomiste e suksesshme. Sot Diana Pushi drejton Reborn Experience dhe punon si mentore në fushën e zhvillimit personal dhe shpirtëror. Në dokumentarin “Në kërkim të shpirtit” nga Kalina Poga në Dritare TV, ajo rrëfen kthesën që i ndryshoi rrugën.
“Nuk kam qenë gjithmonë mentore. Kam qenë një ekonomiste shumë e arritur, qoftë në Shqipëri, qoftë në 26 vitet që kam jetuar në Toronto”, tregon ajo. Rreth moshës 40-vjeçare, sipas saj, erdhën sfidat që e bënë të mendonte për pyetje të reja. “Deri në atë kohë kisha vrapuar me vrap drejt arritjes së suksesit”, thotë Pushi. Ajo shton se jeta i tregoi që ky sukses “nuk është patjetër e gjithë gjëja për të cilën ne kemi ardhur”.
E pyetur nëse njeriu modern po kërkon një fe të re, Pushi thotë se ne jemi “në kërkim të një mënyre të re se si e shohim jetën, e cila është më e plotë”. Sipas saj, feja fliste për jetën e mirë, por nuk përfshinte elemente si shëndeti dhe fuqia personale. Ajo e sheh kohën e sotme si “urën e shkencës dhe të spiritualitetit”.
Pushi nuk e pëlqen fjalën “shërim”. “Shumë njerëz ndihen të frikësuar nga kjo fjala shërim dhe u duket sikur duhet të jenë shumë të sëmurë”, shpjegon ajo. Sipas saj, njerëzit kanë ardhur në jetë për dy arsye: “Të zhvillohemi dhe të shërbejmë”. Për të ndryshuar, thotë ajo, duhen “tre D-të: Dëshira, Dashuria, Dedikimi”.
Mentorja është kritike ndaj premtimeve të mëdha në tregun e retreat-eve. “Kur dëgjoj ‘në këtë retreat u shëruan kaq njerëz’, unë personalisht nuk rezonoj”, thotë ajo. Sipas saj, premtimet absolute janë shenja e parë që diçka nuk shkon. Pushi paralajmëron edhe për mentorë që “dinë të shesin, por kanë frikë të përballen”. “Shumica kërkojnë ngushëllimin, nuk kërkojnë transformimin”, shton ajo.