Çfarë e shkaktoi tragjedinë në Spanjë? Defekti që ndaloi trenat dhe vendimi që çoi në përplasje
Dritare.net

Të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë, në jug të Madridit, mëngjesin e kësaj të mërkure.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 09:00, mes komunave Mora dhe Orgaz, rreth 140 kilometra në jug të kryeqytetit spanjoll. Në përplasjen e rëndë u përfshinë një tren i kompanisë shtetërore Renfe dhe një tjetër i operatorit privat Iryo, që kryente linjën Madrid-Sevilje. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, treni Renfe përplasi nga pas trenin Iryo, i cili ndodhej i ndaluar në shina. Përplasja shkaktoi daljen nga shinat e disa vagonëve, të paktën dy prej të cilëve përfunduan në një skarpate. Bilanci i viktimave mund të rritet, pasi dhjetëra persona janë në gjendje të rëndë. Autoritetet raportojnë se rreth 80 të plagosur po marrin trajtim mjekësor, 50 prej tyre në gjendje të rëndë dhe 15 në gjendje kritike.
Në të dy trenat udhëtonin më shumë se 500 pasagjerë. Sipas të dhënave të autoriteteve rajonale, treni Iryo kishte 146 pasagjerë dhe një foshnjë, ndërsa në trenin Renfe ndodheshin 397 persona. Mes pasagjerëve të raportuar të zhdukur është edhe ish-ministrja spanjolle Fátima Báñez, e cila drejton fondacionin e organizatës së biznesit CEOE.
Çfarë e shkaktoi aksidentin?
Shkaqet e përplasjes janë ende nën hetim, por ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, ka bërë të ditur se një defekt kompjuterik shkaktoi fillimisht ndalimin e gjashtë trenave në lëvizje, mes tyre edhe dy trenave të përfshirë në aksident.
Sipas tij, në rast të një defekti të sistemit, kontrolli i trafikut hekurudhor kalon te qendra e kontrollit. Kjo e fundit vendosi që trenat të vijonin lëvizjen, pa kufizime shpejtësie. Ministri e cilësoi këtë vendim si të pashpjegueshëm, duke theksuar se ai çoi në përplasjen e trenit Renfe me trenin Iryo, i cili ishte ndalur në shina. Kompania Iryo konfirmoi se treni i saj u godit nga pas nga një tren tjetër, ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Reagimi i autoriteteve
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, vizitoi vendin e aksidentit dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
“E gjithë Spanja është në zi. Jetët janë shkatërruar, familjet janë ndarë”, deklaroi ai, duke premtuar se autoritetet do të zbardhin shkaqet e tragjedisë.
Sánchez theksoi se nëse do të konstatohen neglizhenca apo dështime në sistemin e sigurisë, ato do të trajtohen me vendosmëri. Për shkak të tragjedisë, kryeministri dhe politikanë të tjerë spanjollë kanë anuluar angazhimet publike të së mërkurës, përfshirë aktivitetet e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, familja mbretërore spanjolle shprehu tronditjen dhe shqetësimin për aksidentin, duke përcjellë ngushëllimet për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit.
Operacioni i shpëtimit
Në vendngjarje po zhvillohet një operacion i madh kërkim-shpëtimi, ku janë angazhuar zjarrfikës, ekipe mjekësore dhe helikopterë. Spitalet në zonat përreth kanë pezulluar ndërhyrjet e planifikuara kirurgjikale për t’u përballur me fluksin e të plagosurve. Qendra e transfuzionit të gjakut në Madrid ka bërë gjithashtu thirrje për dhurime urgjente, për shkak të nevojave të mundshme në rritje për trajtim mjekësor. Trafiku hekurudhor në këtë linjë është ndërprerë, ndërsa Renfe ka njoftuar pezullimin e shërbimeve mes Madridit, Ciudad Real dhe Andaluzisë.
Një tjetër tragjedi hekurudhore brenda vitit
Aksidenti i së mërkurës është tragjedia e dytë e rëndë hekurudhore në Spanjë brenda këtij viti. Në janar, një tren i shpejtësisë së lartë doli nga shinat në jug të vendit, duke bërë që vagonët e tij të pasmë të përplaseshin me një tren të kompanisë shtetërore Renfe. Aksidenti i atëhershëm shkaktoi 46 viktima dhe qindra të plagosur./dritare.net