
Trump: Izraeli ka pranuar kushtet për një armëpushim 60-ditor në Gaza
Dritare.net
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Izraeli ka rënë dakord me "kushtet e nevojshme" për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës, mes përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit disa mujor mes Izraelit dhe Hamasit.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump tha se gjatë periudhës së armëpushimit, SHBA do të "punojë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës".
"Katari dhe Egjipti, të cilët kanë punuar shumë për të sjellë paqen, do të dorëzojnë këtë propozim final. Shpresoj që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të ketë një ofertë më të mirë – DO TË PËRKEQËSOHET," shkroi Trump.
Izraeli ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht se ka pranuar kushtet e propozimit, dhe Hamasi nuk ka dhënë asnjë koment të menjëhershëm. Deklarata e Trump vjen përpara një takimi të planifikuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu javën e ardhshme, për të cilin ai tha se do të jetë "shumë i vendosur".
Trump deklaroi gjithashtu se Netanyahu dëshiron të përfundojë luftën në Gaza. “Ai do që të përfundojë. Mund t’jua them me siguri. Mendoj se do të kemi një marrëveshje javën e ardhshme,” shtoi ai.
Ndërkohë, Ministri izraelit për Çështje Strategjike, Ron Dermer, pritej të takohej të martën në Uashington me të dërguarin e posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe Zëvendëspresidentin JD Vance.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, u shpreh për BBC se Izraeli është "absolutisht" i gatshëm për një armëpushim. “Hamasi po luan fort,” tha Danon. “Ne po ushtrojmë presion, dhe nëse ata nuk vijnë në tryezë, e vetmja mënyrë për të kthyer pengjet do të jetë përmes presionit ushtarak.”
Sipas autoriteteve izraelite, rreth 50 pengje izraelite ndodhen ende në Gaza, ku të paktën 20 besohet se janë gjallë.
Një përfaqësues i lartë i Hamasit deklaroi javën e kaluar për BBC se përpjekjet e ndërmjetësve për të arritur një marrëveshje të re për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh janë shtuar, megjithëse negociatat me Izraelin mbeten të bllokuara.
Izraeli ka deklaruar se konflikti mund të përfundojë vetëm nëse Hamasi çarmatosej plotësisht, ndërsa Hamasi ka këmbëngulur në një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje totale të ushtrisë izraelite nga Gaza.
Deklarata e Trump vjen ndërsa Izraeli ka urdhëruar evakuime në veri të Gazës në pritje të një ofensive të re ushtarake. Të paktën 20 palestinezë u vranë të hënën nga një sulm ajror izraelit në një kafene buzë detit në qytetin e Gazës, sipas dëshmitarëve dhe ekipeve mjekësore.
Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona në Izrael, ushtria izraelite ka nisur një fushatë intensive në Gaza. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, mbi 56,600 palestinezë janë vrarë që atëherë.
Forcat izraelite janë përballur gjithashtu me kritika ndërkombëtare lidhur me incidentet në pikat e shpërndarjes së ndihmave humanitare, ku sipas disa organizatave, ushtarët izraelitë kanë qëlluar mbi civilë. Izraeli i mohon këto akuza, duke theksuar se organizata Gaza Humanitarian Foundation (GHF) është thelbësore për të shmangur ndërhyrjen e Hamasit në ndarjen e ndihmave.
Marrëveshja e mëparshme për armëpushim, e nisur më 19 janar, nuk arriti të kalojë fazën e parë nga tre të parashikuara. Faza e dytë do të përfshinte një armëpushim të përhershëm, lirimin e pengjeve të mbetura dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza. Por ajo dështoi kur Izraeli rifilloi bombardimet, duke i konsideruar si "sulme parandaluese" ndaj përgatitjeve të Hamasit për sulme të reja.
Tashmë mbetet të shihet nëse Hamasi do të pranojë propozimin e fundit dhe nëse kjo do të jetë rruga drejt përfundimit të një lufte që ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe shkatërrim të thellë në Gaza./L.F-dritare.net

















