SHBA-ja përballë krizës më të madhe/ Olsi Jazexhi: Po vjen fundi i epokës amerikane!
Dritare.net

Studiuesi Olsi Jazexhi ishte i ftuar në emisionin “Shqip” nga gazetari Dritan Hila në DritareTV, ku diskutoi zhvillimet e fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe përplasjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit.
Gjatë intervistës, Jazexhi solli një analizë të detajuar mbi situatën e konfliktit, duke deklaruar se përplasja ushtarake ka hyrë në një fazë të re ku bombardimet direkte janë ndalur dhe palët kanë kaluar në një periudhë bisedimesh dhe tensioni të ulët ushtarak.
Ai u shpreh se, sipas këndvështrimit të tij, për herë të parë pas dekadash përballjeje në rajon, SHBA nuk ka arritur një fitore të qartë në terren. “Është lufta e parë ku amerikanët nuk po arrijnë fitore,” u shpreh ai gjatë intervistës, duke e lidhur këtë me ndryshimet në ekuilibrat globalë të fuqisë.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte situata në Ngushticën e Hormuzit, e cila sipas tij ka një rol strategjik në tregtinë botërore të naftës. Ai theksoi se çdo lëvizje në këtë zonë ndikon drejtpërdrejt në ekonominë globale dhe në sistemin financiar ndërkombëtar.
Në analizën e tij, Jazexhi argumentoi se konflikti tashmë nuk është vetëm ushtarak, por ka kaluar në një dimension ekonomik, ku kontrolli mbi energjinë dhe tregtinë e naftës luan rol vendimtar. Ai shtoi se kjo situatë po ndikon edhe tek aleatët rajonalë të SHBA-së, të cilët po përballen me presione ekonomike dhe kërkesa për mbështetje financiare.
Gjatë intervistës u trajtua gjithashtu edhe ndikimi i sistemit të petrodollarit në ekonominë globale, si dhe ndryshimet e mundshme në rendin ndërkombëtar, të cilat sipas analizës mund të sjellin zhvendosje të rëndësishme të fuqisë ekonomike dhe politike.
Në përfundim, Jazexhi theksoi se situata mbetet e paqëndrueshme dhe dinamike, duke lënë të hapur skenarë të ndryshëm për zhvillimet e ardhshme në Lindjen e Mesme dhe më gjerë./K.C/dritare.net